Dënimi me burgim të përjetshëm ndaj policit Shefki Spahiu, faktet në të cilat u bazua Gjykata

Dënim me burgim të përjetshëm i ka shqiptuar trupi gjykues të akuzuarit Shefki Spahiu, për dy vepra penale vrasje e rëndë në mënyrë dinake dhe manipulim me prova.

Shefki Spahiu që deri ditën kritike me 17 mars të vitit 2019, kishte mbajtur gradën e rreshterit në policinë e Kosovës, qysh në seancën e parë kishte pranuar fajësinë për manipulim me prova.

Kurse sipas aktakuzës, pasi që Shefki Spahiu qëndroi në kazino, papritur duke shfrytëzuar besimin dhe sinqeritetin e Jetmir Aliajt, në mënyrë dinake e kishte nxjerrë armën-pistoletën e markës “Glock” që ishte armë zyrtare, të cilën e kishte të gatshme për shkrepje dhe nga një distancë prej 1 metër kishte shtënë një herë në pjesën ballore të kokës, duke shkaktuar vdekjen e viktimës.

Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Ajser Skenderi dhe anëtarët Artan Sejrani dhe Kymete Kicaj, pas shpalljes së aktgjykimit në pika të shkurtra ka arsyetuar se cilat prova dhe rrethana i mori për bazë me rastin e shqiptimit të dënimit me burgim të përjetshëm.

Gjendjen faktike trupi gjykues e ka vërtetuar nga provat materiale, deklaratat e dëshmitarëve, dhe sidomos CD e shikuar gjatë shqyrtimit gjyqësor.

“Mbretëresha e provave” e kishte quajtur prokurori Mehdi Sefa CD-në të cilën e posedonte Prokuroria si provë kryesore në këtë çështje, ku shihet momenti kritik i vrasjes.

Gjyqtarja Ajser Skenderi gjatë arsyetimit të shkurtër ka thënë se nuk ka qenë kontestuese se i akuzuari Shefki Spahiu ka qenë frekuentues i rregullt i kazinosë në Suharekë ku punonte i ndjeri Jetmir Aliaj, e kjo është vërtetuar në deklarata e dëshmitarëve që janë punëtorë të kazinosë, e këtë fakt nuk e ka mohuar as i akuzuari. “I akuzuari në këtë kazino shpesh ka luajtur bixhoz dhe ka humbur shuma të konsiderueshme të të hollave”.

Edhe në natën kritike i akuzuari Spahiu ka qenë deri në orën 05:00 të mëngjesit në kazino, ku ka ndodhur rasti kritik, e pasi që është larguar disa orë më vonë është kthyer përsëri me pretekstin se ka humbur një telefon, e në punë ka qenë tani i ndjeri Jetmir Aliaj.

Nga CD e shikuar, sipas trupit gjykues është vërtetuar fakti se tani i ndjeri Jetmir Aliaj e ka shërbyer me ujë e kafe të akuzuarin, dhe se në një moment kur i ndjeri ishte ulur duke shikuar telefonin e tij, “i akuzuari në mënyrë dinake i afrohet dhe me armën e tij zyrtare të armës “Glock” nga një distancë prej 1 metër e godet në kokë”, ka thënë gjyqtarja Skenderi.

E këtë fakt sipas trupit gjykues nuk e ka mohuar as i akuzuari kur gjatë shqyrtimit gjyqësor kur ka dhënë mbrojtjen e tij.  “Ndodhi vrasja, ndodhi ajo që pamë në video”, kishte thënë i akuzuari kur kishte dhënë mbrojtjen e tij.

Tutje trupi gjykues ka sqaruar se pas veprës së kryer i akuzuari me qëllim të fshehjes së gjurmëve dhe shkatërrimit të provave materiale, ka hyrë në dhomën ku kanë qenë të vendosura pajisjet e kamerave të kazinosë dhe duke i demoluar kabllot ka marrë pajisje kompjuterike që i ka vendosur në makinën e tij e të cilat janë vërtetuar nga pamjet e shikuara nga CD e kamerave të sigurisë.

E për veprën penale manipulim me prova, i akuzuari ka pranuar fajësinë qysh në seancën e parë para Gjykatës, e në bazë të kësaj trupi gjykues ka vërtetuar se në veprimet e të akuzuarit Shefki Spahiu ekzistonin të gjitha elementet e veprës penale të vrasjes së rëndë dhe manipulim me prova.

Me rastin e marrjes së vendimit mbi dënimin, trupi gjykues ka vlerësuar rrethana rënduese si peshën e veprës penale, dhe faktin se vepra penale është kryer nga zyrtari policor me armë zyrtare dhe në mënyrë dinake dhe për përfitime pasurore.

“Andaj Gjykata është e mendimit se dënimi me burgim të përjetshëm i përgjigjet peshës së veprës së kryer penale, dhe shkallës së përgjegjësisë të të akuzuarit, andaj edhe kur të merret parasysh dëmtimi që i ka shkaktuar vlerës së mbrojtur, mënyrat e kryerjes së veprës penale, dhe marrë faktin se është kryer njëra nga veprat më të rënda penale, në një situatë të tillë nuk ka pasur vend të Gjykata të shqiptojë ndonjë dënim më të butë”.

Këto janë vetëm arsyet e shkurtër të aktgjykimit, ndërsa tashmë trupi gjykues do të përpilon aktgjykimin në formë të shkruar dhe të arsyetuar në detaje tjera, dhe ndaj këtij vendimi palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Mbrojtësi i të akuzuarit Shefki Spahiu, avokati Emrush Kastrati për KALLXO.com ka thënë se do të paraqesin ankesë, ngase sipas tij ky është dënim si rezultat i një gjyqi të paragjykuar. “Ky dënim është për shkak se prej fillimit jemi paragjykuar”, ka thënë mbrojtësi Kastrati.

I përlotur e ka pritur vendimin e Gjykatës Halial Aliaj, babai i viktimës Jetmir Aliaj, i cili falënderoi prokurorin Mehdi Sefa për punën e tij gjatë hetimit dhe gjatë procesit gjyqësor.

KALLXO.com nga fillimi i gjykimit ka raportu për këtë rast, të gjitha shkrimet mund ti gjeni në këtë LINK.