Dënime të ashpra, parasheh projektligji për sigurinë kibernetike

Vepra të shumta penale e dënime më të ashpra pritet t;i shtohen sistemit kosovar me ligjin e ri për Sigurinë Kibernetike, i cili aktualisht është në fazën e projektligjit.

Ky ligj pritet ta forcoj sigurinë kompjuterike në vend, pasi përpos shtimit të veprave penale të cilat kryhen me kompjuter dhe ashpërsimit të tyre ka paraparë edhe themelimin e Autoritetit Shtetëror për Siguri Kibernetike si dhe masa të shumta, duke përfshirë edhe themelimin e një pike kontakti në Policinë e Kosovës e cila do të jetë e angazhuar për 24 orë gjatë 7 ditëve të javës.

Veprat penale të cilat pritet t’i shtohen rendit juridik në vend janë:

Shpërndarja kompjuterike e materialeve pro gjenocid ose krimeve kundër njerëzimit e cila dënohet prej 3 deri në 6 vjet,

Përgjimi i të dhënave kompjuterike që dënohet prej 1 deri në 5 vjet,

Kanosja me motive racizmi përmes kompjuterit që dënohet deri në 3 vjet,

Shpërndarja e materialeve raciste në publike e cila dënohet deri në 2 vjet,

Pengimi i funksionimit të sistemeve kompjuterike që dënohet prej 3 deri në 7 vjet,

Keqpërdorimi i pajisjeve dhe programeve kompjuterike që dënohet prej 6 muaj deri në 5 vjet,

Falsifikimi kompjuterik që ndëshkohet deri në 6 vjet dhe

Mashtrimi kompjuterik për të cilin janë paraparë deri në 5 vjet burgim.

Përpos dënimeve me burgim ky projektligj ka paraparë edhe dënimet me gjobë të cilat mund të shkojnë deri në 10 mijë euro për operatorët të cilët nuk i ndërmarrin masat për parandalimin e krimeve kibernetike të përcaktuar me këtë projektligj.

Sipas këtij projektligji përgjegjës për garantimin e sigurisë kibernetike është Autoriteti Shtetëror për Siguri Kibernetike. Ky autoritet sipas këtij projektligji ka për detyrë të vëzhgoj domenet në hapësirën e internetit të Kosovës që ndërlidhet më kodin shtetëror, të analizoj rreziqet që cenojnë sigurinë e sistemeve dhe ndikimin e tyre në shtet, shoqërinë dhe sigurinë e sistemeve të informacionit.

Përpos Autoritetit Shtetëror për Siguri Kibernetike, projektligji ka paraparë edhe themelimin e dy ekipeve shtetërore, njërin për reagim ndaj emergjencave kompjuterike dhe tjetrin për reagim ndaj incidenteve të sigurisë kompjuterike.

Përpos tjerash, neni 30 i këtij projektligji ka paraparë themelimin e pikës së kontaktit në kuadër të Policisë së Kosovës e cila do të funksionojë gjatë 24 orëve në 7 ditët e javës.

Sipas këtij projektligji, kjo pikë kontakti ka për detyrë që të ofrojë ndihmë dhe informata mbi legjislacionin në fushën e krimit kibernetik; ka të drejtë të urdhëroj ruajtjen e shpejtë të të dhënave dhe konfiskimin e pajisjeve që përmbajnë të dhëna kompjuterike; ka për detyrë që të ekzekutoj ose të ndihmoj ekzekutimin në rastet e luftimit të krimit kibernetik.

Projektligji aktualisht është në konsultim publik. Puna për përgatitjen e tij ka filluar në korrik të vitit 2020 dhe ka përfunduar në muajin gusht.