Dënim me kusht të akuzuarës për pjesëmarrje në terrorizëm

Gjykata e Prishtinës të akuzuarën S.Sh. e ka shpallur fajtore për veprën penale pjesëmarrje në terrorizëm.

E akuzuara S.SH. është dënuar me 2 vjet burgim, i cili nuk do të mbahet nëse brenda periudhës verifikuese prej 3 viteve nuk kryen vepër tjetër penale.

Po ashtu e njëjta është urdhëruar që për 2 vite të vizitohet te psikologu.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë kundër të pandehurës me inicialet S. Sh. për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale -organizimi dhe pjesëmarrja në grup.

Sipas Prokurorisë, e pandehura S.Sh. me dashje pas përgatitjeve paraprake me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatës terroriste ISIS kishte udhëtuar së bashku me bashkëshortin e saj, shtetas turk, nga Gjermania për në Turqi dhe, më pastaj, përmes lidhjeve të caktuara ka depërtuar në Siri, ku ishte angazhuar përmes ndihmës logjistike në organizatën terroriste ISIS.