Foto: KALLXO.com

Dënim me kusht për këshilltaren e Ministrisë, ia dha ta voziste veturën zyrtare tezakut

Gjykata e Mitrovicës e ka dënuar me 6 muaj burgim me kusht të akuzuarën Vinka Radosavleviq.

Ajo akuzohet se si këshilltare politike në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) në kundërshtim me udhëzimin administrativ ka shfrytëzuar veturën zyrtare që është pasuri e Qeverisë.

Veprën Radosavleviq thuhet ta ketë kryer në gusht të vitit 2018, duke tejkaluar kompetencat e saj.

Tutje aktakuza thotë se Radosavleviq në kohën  e lartcekur ia kishte dhënë për ta vozitur veturën zyrtare djalit të tezes, Aleksandar Sharkoviq, ndërsa në veturë kishte qenë prezente edhe Violeta Mitroviq, e cila udhëtonte për qëllime private.

Ndërsa në kohën kur kishin mbërritur në pikën kufitare në Jarinjë, e pandehura ishte ndalur nga zyrtarët doganorë, pasi që nuk kishte poseduar dokumentacion përkatës për kalimin nga Kosova në Serbi.

Radosavleviq ia kishte prezantuar personit zyrtar një autorizim pa datë dhe protokoll si dhe lejen e qarkullimit dhe  njëherazi i ishte përgjigjur zyrtarit se me këtë veturë ka dashur që bashkudhëtaren e cekur ta dërgojë për ta kontrolluar te mjeku në Rashkë.

Në seancën e shqyrtimit gjyqësor në Gjykatën e Mitrovicës, e akuzuara Vinka Radosavleviq e ka pranuar fajësinë për veprën me të cilën akuzohet nga Prokuroria.

Pranimi i fajësisë u mbështet edhe nga prokurori i rastit Naim Beka, i cili ka deklaruar se mbetët në tërësi pranë aktakuzës dhe ka kërkuar nga Gjykata që më rastin e matjen se lartësisë së dënimit të ketë parasysh rrethanat lehtësuese dhe rënduese.

Kurse avokati Lubomir Pantoviq, që në këtë rast e ka mbrojtur të akuzuarën, ka thënë se sipas tij në këtë rast kemi të bëjmë me një vepër e cila është e vënë në kufijtë e përgjegjësisë penale dhe se bëhej fjalë për një vepër të rëndësisë së vogël penale.

“Sipas bindjes time këtu kemi një rast shumë më të vogël, më të rrallë, i cili është në vetë kufijtë e përgjegjësisë penale, edhe pse e pandehura sot e ka pranuar fajësinë unë jam i asaj ane që të vërtetohet që në këtë rast mund të bëhet fjalë mbi veprën e një rëndësie me të vogël, mbi rrezikun shoqëror… E pandehura e ka pranuar fajësinë, i ka arsyet e saj për çka e ka bërë këtë… Ju lus që me rastin e vendimit mbi llojin dhe lartësinë e sanksionit penal të keni parasysh rrethana lehtësuese – e pandehura askujt nuk i ka shkaktuar ndonjë dëm konkret”, tha Pantoviq.

Pranimi i fajësisë është aprovuar nga trupi gjykues me kryetar Tomislav Petroviq dhe anëtar Nikola Kabashiq dhe Liljana Stefanoviq.

Kurse me rastin e shpalljes se aktgjykimit e akuzuara Radosavleviq është dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, ndërsa për të mos u ekzekutuar dënimi me burg, e pandehura duhet që në afat prej një viti të mos kryejë vepër tjetër penale.