Kushtrim Hoxha- i akuzuar se nuk ka lajmëruar grupin terrorist. Shqyrtimi i marrëveshjes për pranim të fajësisë 12.11.2024 (Arkiv)

Kushtrim Hoxha- i akuzuar se nuk ka lajmëruar grupin terrorist. Shqyrtimi i marrëveshjes për pranim të fajësisë 12.11.2024 (Arkiv)

Dënim me burgim për të akuzuarin se nuk lajmëroi grupin terrorist që planifikuan sulmin ndaj lojtarëve dhe tifozëve të kombëtares së Izraelit

Kushtrim Hoxha është dënuar me 1 vit e 6 muaj dënim me burgim nën akuzën se nuk ka lajmëruar grupin terrorist që sipas prokurorisë në vitin 2016 kishin planifikuar kryerjen e aktit terrorist- ndaj lojtarëve dhe tifozëve të Kombëtares së Izraelit.

Ky vendim është marrë më 12.11.2024 nga gjyqtari Rrahman Beqiri, prezent nuk ishte i akuzuari dhe mbrojtësi i tij, Asdren Bytyqi ndërsa ka prezantuar prokurori Bekim Kodraliu.

Gjykata vendosi që t`i kthej të akuzuarit, një llaptop, usb dhe literaturë e cila ishte kërkesë e avokatit të të akuzuarit që këto tri mjete mos t`i konfiskoheshin të pandehurit pasi nuk kishte të bënte asgjë me veprën penale.

Ky vendim i Gjykatës erdhi pasi Prokuroria Speciale dhe i akuzuari me mbrojtësin e tij kanë arritur marrëveshje për pranim të fajësisë më 21.10.2024 dhe e njëjta është aprovuar nga gjyqtari Rrahman Beqiri më 12.11.2024.

Çfarë thuhet në dosjen e Prokurorisë për të akuzuarin Kushtrim Hoxha?

Sipas dosjes së Prokurorisë gjatë muajit tetor – fillimi i nëntorit 2016, i pandehuri Kushtrim Hoxha, është takuar dhe ka marrë pjesë në biseda të vazhdueshme me tani të dënuarit V. I., B. I., L. V., F. G., K. P., A. A., L. G., L. M., dhe B. P., për vepra penale të terrorizmit.

Lidhur me këtë rast të akuzuar kanë qenë Visar Ibishi, Burim Istrefi, Leutrim Vojvoda, Flamur Gashi, Kenan Plakaj, Arton Ahmeti, Lulzim Gashi dhe Leotrim Musliu.

Të njëjtit më 18.05.2018 ishin dënuar ng Gjykata Themelore me dënim me burgim prej 35.5 vite dënim me burgim.

Visar Ibishi ishte dënuar me 10 vjet burg dhe 1,800 euro gjobë, Burim Istrefi ishte dënuar me 3 vjet burg, Leutrim Vojvoda me 5 vjet, Flamur Gashi me 5 vjet, Kenan Plakaj me 1 vjet e gjashtë muaj dhe 1,800 euro, Arton Ahmeti me 1 vjet e 6 muaj, Lulzim Gashi me 6 vjet burg, Leutrim Musliu me 3 vjet e 6 muaj, Besart Peci me 2,500 euro gjobë.

Në aktakuzë thuhet që Hoxha ka qenë në dijeni për ekzistimin e këtij grupit terrorist, dhe veprimet përgatitore që i kanë planifikuar t`i ndërmarrin për kryerjen e aktit terrorist- – sulm me eksploziv ndaj lojtarëve dhe tifozëve të Klubit Futbollistik të Kombëtares së Izraelit në ndeshjen që do të zhvillohej në Shkodër, më datë 12.11.2016.

Tutje sipas aktakuzës me reagimin e organeve të drejtësisë të Kosovës dhe bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, një sulm i tillë ishte ndaluar, ndërsa i pandehuri Kushtrim Hoxha edhe pse kishte qenë i njoftuar për këto veprime të këtij grupi terrorist, i njëjti i kishte fshehur dhe nuk i kishte lajmëruar tek organet kompetente.

Me këtë i pandehuri Kushtrim Hoxha akuzohet se ka kryer veprën penale “Fshehja ose moslajmërimi i terroristëve dhe grupeve terroriste”.