Dënim me burgim me kusht për të akuzuarën që iu bashkua ISIS-it

 

Remzije Qazimi, e akuzuar për organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist ISIS, është dënuar me dy vite burgim me kusht nga Gjykata e Prishtinës.

Dosja e Prokurorisë shpjegonte se si e pandehura Remzije Qazimi me 23.8.2014 kishte shkuar nga Kosova në Siri, me qëllim që t`i bashkëngjitej organizatës terroriste ISIS, e cila po luftonte në Siri e Irak.

ISIS nga Organizata e Kombeve të Bashkuara është shpallur organizatë terroriste.

Më këtë Prokuroria po e ngarkon Remzije Qazimin me veprën penale: organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist.

Dënimi me dy vite burgim ndaj Remzije Qazimit nuk do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, nëse në periudhën verifikuese prej 3 viteve ajo nuk kryen vepër tjetër penale.

“Nëse e akuzuara gjatë kohës së verifikimit të dënimit me burgim me kusht, kryen vepër të re penale, dënimi me burgim me kusht do t’i zëvendësohet me dënim me burgim duke ia llogaritur edhe kohën e qëndrimit në arrest shtëpiak”, tha gjyqtari Valon Kurtaj.

Gjykata të akuzuarën Remzije Qazimi e urdhëroi që të përmbush detyrimin për vizitë te psikologu, apo këshillues të tjerë, në kohëzgjatje prej dy viteve nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi.

Poashtu, Gjykata urdhëroi Shërbimin Sprovues të Kosovës të bëjë mbikëqyrjen e dënimit me burgim dhe detyrimit të shqiptuar në këtë dënim me kusht, nëse e akuzuara nuk i përmbahet kontakteve të Shërbimit Sprovues ose nuk i përmbush detyrimet e caktuara nga psikologu ose këshilluesit tjerë nën mbikëqyrjen e Shërbimit Sprovues, të njëjtës do t`i revokohet dënimi me kusht dhe do t`i shqiptohet dënimi me burgim efektiv.

E akuzuara për terrorizëm: Burri më mashtroi, më tha po shkojmë në pushime e më çoi në ISIS

.