Dënim me burg e gjobë ndaj ish-drejtorit të Gjimnazit në Malishevë 

Izet Hoti, ish drejtori i gjimnazit “Hamdi Berisha” në Malishevë, u dënua me 8 muaj burgim dhe 1 mijë euro gjobë.

Edhe herën e parë, i njëjti ishte dënuar me tetë muaj burg dhe 1 mijë euro gjobë për marrje ryshfeti.

Sot, trupi gjykues i përbërë nga kryetari Shaqir Zika, bashkë me anëtarët Nikollë Komani dhe Mentor Bajraktari, dha verdiktin e këtij rasti.

Sipas aktakuzës, dyshohet se Hoti në maj të këtij viti ka keqpërdorur autoritetin e tij zyrtar, duke kërkuar 1,500 euro nga Gëzim Kastrati, menaxher i restaurantit “Bimi 2”, për organizimin e mbrëmjes së maturës.

Ashtu që, oferta reale për karrige ka qenë 11 euro, ndërsa i akuzuari ka kërkuar nga menaxheri që ta ngritë këtë çmim në 13 euro, që diferencën prej 2 euro për person ta merr për vete.

 

Dënimi prej 8 muaj burg dhe 1 mijë euro gjobë ishte dhënë nga gjykata e Gjakovës dhe se një vendim i tillë është aprovuar edhe nga gjykata e Apelit.

Apeli me datën 9 korrik 2019, e kishte vërtetuar dënimin ndaj Hotit, duke e refuzuar ankesën e parashtruar nga avokati i tij si të pabazuar.

Pastaj, gjykata Supreme me 21 janar 2020 ka marrë aktgjykim me të cilin ka aprovuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë nga ana e të akuzuarit Izet Hoti.

Kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë është paraqitur nga avokati Emrush Kastrati, mbrojtës i të akuzuarit Hoti për shkelje procedurale dhe shkeljen e ligjit penal.

Supremja e kishte anuluar aktgjykimin e Apelit, me të cilin ishte vërtetuar dënimi i shqiptuar nga shkalla e parë dhe rasti ishte kthyer në rigjykim në Apel.

Ndërsa, më pas gjykata e Apelit e kishte anuluar vendimin e gjykatës Themelore dhe lëndën e kishte kthyer sërish në rigjykim.

Në seancën e fundit është dëgjuar një video inçizim i përgjimit të rastit.

Në këtë rast ishte dëshmuar dëshmitari Gëzim Kastrati, menaxheri i restaurantit “Bimi 2”, i cili është edhe zyrtar policor.

KALLXO.com kishte raportuar për këtë rast.

Gjykata e Gjakovës e kishte dënuar më burg e gjobë Izet Hotin, për keqpërdorim të pozitës së tij.

Për këtë rast ishin mbajtur disa seanca e disa kishin dështuar.

Izet Hoti ishte deklaruar i pafajshëm.