Foto: KALLXO.com

Dënim me burg dhe gjobë ndaj të akuzuarit për narkotikë

Gjykata në Mitrovicë e ka shpallur fajtor të akuzuarin Kushtrim Hajra, duke e dënuar me gjashtë muaj burgim dhe 200 euro gjobë me kusht.

I lartcekuri nga Prokuroria e Mitrovicës akuzohet se në tetor të vitit 2018 ka kryer veprën penale posedim i narkotikëve.

Sipas aktakuzës, të pandehurit në fshatin Reka të Mitrovicës i ishin gjetur në automjetin të markës “Golf II”, substance narkotike – tri qese marihuanë me peshë prej 3.61 +/- 0.0001 gram të përzier me tetrahidrokanabinola (THC ).

Kurse paraprakisht me rastin e mbajtjes së seancës fillestare në Gjykatën e Mitrovicës i pandehuri e ka pranuar fajësinë për veprën me të cilën ngarkohet.

I pandehuri Hajra deklaroi se më nuk përdor substancë narkotike, duke kërkuar nga Gjykata një dënim më të lehtë.

Kurse pranimi i fajësisë nga  i akuzuari nuk u kundërshtua nga prokurorja e rastit Sllavica Mavriq, e cila kërkoi nga Gjykata që pranimi i fajësisë të merret si rrethanë lehtësuese me rastin e shqiptimit të dënimit, ndërsa u aprovua nga gjykatësi i rastit Bekim Veliqi.

Sipas aktgjykimit, dënimi prej gjashtë muaj burgim dhe 200 euro gjobë ndaj të akuzuarit nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda dy viteve.

Po ashtu, Gjykata si dënim plotësues ka urdhëruar konfiskimin e  tri qeseve marihuanë me peshë prej 3.61 gramë.

Ndërsa në emër të paushallit gjyqësor është obliguar të paguajë shumën prej 20 euro.

Gjykatësi Veliqi ka njoftuar të pandehurin në matjen e dënimit është marrë edhe shprehja e keqardhjes nga i akuzuari dhe premtimi i tij se nuk do të kryejë vepra tjera penale.