Foto: Kallxo.com

Del para gjykatës serbi i akuzuar për terrorizëm dhe mashtrim për punësim

Shtetasi i Serbisë dhe i Kosovës, Sërba Andiq, ka dalë sot para gjyqit për t’u përgjigjur në akuzat për terrorizëm të ngritura nga Prokuroria Speciale.

Organi i ndjekjes e akuzon Sërba Andiqin se më 12.07.2018, nga posta e Serbisë në pjesën veriore të Mitrovicës i ka dërguar një pako të dëmtuarit, R.R., në të cilën gjendej një pistoletë e tipit “CZ Vzor 50” e kalibrit 7.65 mm, prodhim çekosllovak, pa numër serik, me një karikator, me gjashtë fishekë, 11 pako ampula të llojit tramadol, 5 pako me ampula të llojit trodon, 18 pako me tabletë bensedin dhe një pamfletë e formatit A4 me logo të Serbisë, me titull “Vrhovna Komanda Oslobodilaqke Vojske Kosova i Metohije”, që në shqip do të thotë “Komanda e lartë e Ushtrisë Çlirimtare për Kosovën dhe Metohinë”.

Sipas Prokurorisë Speciale, përmbajtja e saj bënte thirrje për të dëmtuarin dhe qytetarët tjerë serbë si M.R., B.P., S.P., M.N., M.P. dhe D.P., që të bartnin armë nga depot e ndryshme të Mitrovicës me qëllim që të ndërmerren sulme dhe të përdoret dhunë fizike ndaj qytetarëve serbë në mënyrë që para bashkësisë ndërkombëtare t’i fajësojnë shqiptarët.

Por Sërba Andiq u deklarua i pafajshëm në akuzat për të cilat ngarkohet.

Prokuroria Speciale pretendon se i akuzuari Sërba Andiq që nga viti 2017 në vazhdimësi ka mashtruar shumë qytetarë, duke u prezantuar si zyrtar i lartë i Ministrisë së Shëndetësisë në Serbi, dhe si përfaqësues i organizatës për të sëmurët me diabet, dhe se në emër të punësimit të tyre u kishte marrë para të dëmtuarit R.R. në shumën prej 7000 euro, të dëmtuarit S.R. në shumën prej 2000 euro, si dhe të dëmtuarit M.R., në shumën prej 5000 euro.

Aktakuza thotë se ai u kishte marrë para edhe personave tjerë duke u premtuar për punësimin e tyre por për shkak të shumave të larta ata nuk kanë pasur mundësi t’ia japin ato.

Poashtu i akuzuari Andiq më 12.07.2018 akuzohet se ka mbajtur në pronësi, kontroll dhe posedim armë në mënyrë të paautorizuar, në mënyrë që pistoletën e tipit “CZ Vzor 50”, e ka dërguar përmes postës së Serbisë, në pjesën veriore të Mitrovicës, në emër të Radomir Repanoviq në fshatin Osojan.

Aktakuza thotë se Repanoviq armën e pranuar e kishte lajmëruar në polici e cila e kishte konfiskuar atë.

Procedura në fazën paraprake lidhur me këtë çështje penale ishte zhvilluar në Gjykatën e Gjilanit.

Gjykatësi special Musa Kongjeli e njoftoi të akuzuarin se pasi që gjendet në paraburgim kundërshtimet dhe kërkesën për hedhjen e aktakuzës t’i dorëzojë brenda 15 ditësh.