Foto: KALLXO.com

Del para Gjykatës ish-zyrtari financiar i Ujësjellësit, i akuzuar për korrupsion

Në Gjykatën e Mitrovicës sot ka vazhduar gjykimi i Vebi Brahës, zyrtar i lartë financiar i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Mitrovica, i akuzuar për tejkalim të kompetencave të tij.

Sipas Prokurorisë, Braha në cilësinë e zyrtarit të lartë financiar në KRU në Mitrovicë, në gusht 2014 ka tejkaluar kompetencat e tij duke urdhëruar Ferki Behxhetin – shef i mekanizmit, Fahredin Hotin – vozitës dhe Nexhmedin Berishën – ekskavatorist, për blerjen e dy gomave të brendshme të ekskavatorit në vlerë prej 1.784,00 euro në D.Z.T “Merovci” në fshatin Dobërlluk.

Sipas akuzës, këtë ai e ka bërë në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit, sipas të cilit çdo punë, shërbim apo furnizim i cili tejkalon vlerën mbi 100 euro, duhet të kalojë përmes procedurave të prokurimit.

Më këtë Braha akuzohet se ka kryer veprën penale – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në seancën gjyqësore kanë dëshmuar Visar Merovci, Granit Shala, Driton Abazi dhe Ferki Behxheti.

Dëshmitari Visar Merovci, prej të cilit ishin blerë gomat për ekskavator, xhip dhe kamionetë, ka deklaruar në Gjykatë se kompania e ujësjellësit të Mitrovicës nuk ia kishte paguar shumën e të hollave për këto goma, ndërsa paratë sipas tij ishte detyruar që nga Ujësjellësi t’i nxjerrë përmes përmbaruesit privat.

Tutje dëshmitari Merovci ka shtuar se këto para kishte shkuar t’i kërkonte nga drejtori i kompanisë, por ky i fundit sipas tij e kishte larguar nga zyra, duke i thënë se kurrë nuk do t’i merrte paratë.

Kurse dëshmitari i dytë, Ferki Behxheti, ka deklaruar në Gjykatë se për blerjen e gomave nuk dinte asgjë sepse siç ka potencuar ai nënshkrimi i tij nuk ka qenë në faturat për blerjen e gomave.

Por, nuk e ka mohuar faktin se së bashku me personat Fahredin Hoti dhe dëshmitarin tjetër Driton Abazi kishin shkuar që të shikonin goma për ekskavator në dyqanin “Merovci”.

Derisa dëshmitari Merovci kishte shpjeguar se atij i ishin kërkuar nga zyrtarët e K.R.U. që të lëshonte fatura në vlerë më të vogël se 100 euro në mënyre që atij t’i paguheshin paratë për blerjen e gomave.

Ekskavatori i Ujësjellësit, i cili kishte qenë i prishur për 10 ditë, ndërsa në terren kishte pasur rrjedhje të ujit, sipas dëshmitarit Abazi ishte arsye se përse ishte bërë kërkesë për blerjen e gomave.

Madje ai ka thënë se kishin pasur kërkesa dhe kërcënime nga Inspektorati komunal për evitimin e këtyre rrjedhjeve të ujit.

Si shefi i mirëmbajtjes së Ujësjellësit në njësinë në Vushtrri, tani dëshmitari Driton Abazi ka shtuar në Gjykatë se nga zyrtari i lartë financiar, tani i akuzuari Vebi Braha, kishin marrë leje që të kontaktonin me Visar Merovcin, pronarin e DPZ “Merovci”, i cili më pas sipas tij kishte shkuar në njësinë operative në Vushtrri ku edhe ia kishte ndërruar gomat me ekipin e tij ekskavatorit.

Abazi ka sqaruar më tutje se ai nuk kishte bërë kurrfarë negocimi për çështjen e çmimit, porse as nuk kishte njohuri se kush e kishte bërë një gjë të tillë.

“Përveç gomave të ekskavatorit kemi blerë edhe gomat e kamionetës dhe gomat e xhipit Galloper“, tha dëshmitari Abazi.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Rexha, se a kishte qenë në dijeni vetë Abazi se blerja e këtyre gomave duhet të bëhej përmes procedurës së prokurimit, dëshmitari Abazi tha të mos e kishte ditur këtë.

Ndërsa menaxheri i Prokurimit në K.R.U. Mitrovica, Granit Shala, ka thënë se nuk kishte pasur njohuri për blerjen e gomave të ekskavatorit dhe mjeteve tjera në gusht të vitit 2014.

Paraprakisht në këtë seancë është dhënë edhe fjala hyrëse nga prokurori Njazi Rexha, përfaqësuesi i kompanisë së Ujësjellësit në Mitrovicë, Mentor Sejdiu, i pandehuri dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar IPKO, Muhamet Gjoka.

Në fund prokurori Njazi Rexha ka propozuar që në seancën e ardhshme si dëshmitar të ftohet ish-kryeshefi ekzekutiv i Ujësjellësit në Mitrovicë Faruk Hajrizi.

Kurse në pikën dy të aktakuzës thuhet se për Vehbi Brahën ekziston dyshimi i arsyeshëm se në korrik të vitit 2014 po ashtu si zyrtar i lartë financiar në K.R.U. Mitrovicë ka tejkaluar kompetencat e tij.

Këtë sipas akuzës ai e ka bërë duke lidhur kontratë për shërbime të telefonisë mobile me IPKO-n, me ç’rast kishte bërë dorëzimin e 206 telefonave për zyrtarët e kësaj kompanie, pa kaluar në procedurën e prokurimit.

Sipas akuzës vlera totale e telefonave që ishin dorëzuar më marrëveshjen e arritur për tre vite arrinte vlerën 6,102 euro.

Me këtë veprim kishte kryer veprën keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Mirëpo në këtë seancë përfaqësuesi i IPKO-s, ka deklaruar se ata nuk e vlerësojnë se janë palë e dëmtuar dhe se nuk kishin kërkesë konkrete sa i përket dëmit material për këtë çështje.

Ndryshe, i pandehuri Braha është deklaruar se nuk ndihej fajtor për akuzën më të cilën ngarkohet nga Prokuroria, edhe në seancën e shqyrtimit fillestar e cila është mbajtur në janar të këtij viti në Gjykatën e Mitrovicës, raporton Kallxo.com.