Ilustrim

Del në gjyq i dyshuari për blerjen e derivateve me para të falsifikuara

Rrahmon Voca i akuzuar nga prokuroria e Mitrovicës për falsifikimin e 100 eurove u deklarua i pafajshëm në gjykatë.

Akuza e prokurorisë e ngarkon të pandehurin Rrahmon Voca se në qershor të vitit 2016 në Shipol të Mitrovicës, në pompen e derivateve “Alfa Trade” e kishte përdorur bankënotën e falsifikuar në përpjekje për ta vënë në qarkullim si të vertetë.

Sipas akuzës, i pandehuri në pompen e benzinës ia kishte dhënë 100 euro punetorit të saj për ta mbushur me derivate automjetin e tij për vlerën prej 10 euro.

Dëshmitari Hamzë Hamza e kishte lajmëruar policinë se paratë që i ka marrë nga i pandehuri janë të falsifikuara.

Policia i kishte konfiskuar paratë në vlerë prej 100 euro, ndërsa nga raporti i ekspertimit sipas aktkauzës ishte vertetuar se kartëmonedha ishte falsifikim i plotë.

Më këtë i pandehuri akuzohet se ka kryer veprën penale falsifikim i parasë.

Kurse pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurores Fetije Bajrami Shala,i pandehuri u deklarua lidhur me fajësinë.

Voca tha se nuk ndihet fajtor për veprën me te cilën akuzohej nga prokuroria, thuhet në procesverbalin e siguruar nga Kallxo.

Pas kësaj gjykatësi Avni Mehmeti ka njoftuar palët se në afat prej 10 ditëve mund të paraqesin kundërshtimet në lidhje me aktakuzën.

Kurse mbrojtësi i të pandehurit Rrahmon Voca, avokati Gani Rexha, deklaroi se heqin dorë nga ankesa, dhe se ishin të gatshëm që kurdo të ftoheshin për shqyrtim gjyqësor.

Mirëpo gjykatësi Mehmeti ka thënë se do të respektohej afati i kundërshtimeve dhe kjo e drejtë për  palët nga ana e gjykatës, pavarësisht faktit se palët deklaruan se heqin dorë nga kjo e drejtë.