Gjykata e Gjilanit

Deklarohet për fajësinë shefi i Prokurorimit në Gjilan

I akuzuari për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Salih Kqiku, shef i Prokurorimit në Gjilan, ka dalur para Gjykatësit në Gjilan për t`u përballur me akuzën e Prokurorisë.

Në seancën e sotme e cila ishte fillestare, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Isuf Sadiku, i akuzuari tha se nuk e pranon fajësinë, pasi sipas tij nuk e ka kryer veprën penale e cila i ngarkohet.

“Nuk e pranoj fajësinë për veprën penale me të cilën Prokuroria më ngarkon, andaj nuk e ndiej vetën fare fajtorë”, tha shkurt i akuzuari Kqiku.

Pasi i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë, seanca e sotme u shtye në kohë të pa caktuar për t`i dhënë mundësi të akuzuarit të bëjë kundërshtimin e aktakuzës.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore e Gjilanit, Salih Kqiku akuzohet se ka dëmtuar buxhetin e komunës së Gjilanit në dy raste duke i sjellë përfitim të kundërligjshëm pasuror operatorëve ekonomik, kompanive nga Ferizaj.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari në cilësinë e personit zyrtar, drejtor në Zyrën e Prokurimit në Gjilan, ka keqpërdorur detyrën zyrtare, pasi nga data 22.10.2014 deri më datën 21.03.2017, ka vepruar në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik, lidhur me kontratën kornizë “Mirëmbajtja e ndriçimit publik në fshatrat e komunës së Gjilanit”, e lidhur në mes të komunës së Gjilanit dhe kompanisë “Elektring” nga Ferizaj, me afat tre vjeçar.

Sipas Prokurorisë kontrata e njëjtë ka zgjatur deri më 14 tetor 2016, përkundër që është dashur që ta përmbyll të njëjtën, gjatë kohës sa ka qenë menaxher, ka vazhduar me pagesa, nënshkrimin e urdhër blerjeve duke tejkaluar vlerën e kontratës në shumë prej 79,999.70 euro, duke i sjellë përfitim të kundërligjshëm pasuror operatorit ekonomik “Elektring” nga Ferizaj, ka sjell rrezikun e rritjes së obligimeve jashtë kontraktuale, në këtë mënyrë ka dëmtuar buxhetin e komunës së Gjilanit.

Gjithashtu Salih Kqiku akuzohet edhe për kontratën ”Hartimi i projekteve kryesore në Komunën e Gjilanit Lot II” e lidhur mes komunës së Gjilanit dhe kompanisë “Engrup – Edona” e cila kontratë ka qenë tre vjeçare derisa ka tejkaluar vlerën në shumë prej 278,438.21 euro duke dëmtuar operatorët e tjerë në Gjilan.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast:

 

Dështon seanca ndaj shefit të Prokurimit në Gjilan, nuk deklarohet pa avokat