Gjykimi i Safet Krasniqit. Foto: KALLXO.com

Deklarohet i pafajshëm zyrtari i Administratës Tatimore të Kosovës

Sot në Gjykatën e Prishtinës është mbajtur seanca ndaj zyrtarit të Administratës Tatimore të Kosovës, Safet Krasniqi, i cili po akuzohet se në pozitën e ushtruesit të drejtorit të Njësisë së Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës ka keqpërdorur pozitën e tij.

Edhe kjo seancë rezultoi me konfrontime dhe pakënaqësi nga ana e mbrojtësit të të akuzuarit Safet Krasniqi, avokatit Blerim Pestreshi dhe Prokurorisë edhe përkundër precizimit të aktakuzës për herë të dytë me kërkesë të Gjykatës.

Pas leximit të aktakuzës së precizuar nga prokurori Enver Krasniqi, avokati Pestreshi theksoi vërejtjet që kishin të bënin me aktakuzën e precizuar.

Avokati Pestreshi tha se përkundër kërkesës nga ana e Gjykatës që të qartësohet cilat kanë qenë detyrat dhe përgjegjësitë e punës të të akuzuarit Safet Krasniqi, kjo ende nuk është bërë edhe me këtë aktakuzë e cila u lexua tani.

“Në të njëjtën vetëm thuhet se i njëjti ka tejkaluar  kompetencat e tij, mirëpo pa e precizuar në fakt se cilat kanë qenë kompetencat e tij. E dyta është e paqartë  se si Prokuroria vjen deri të shuma prej 883.478.56 euro, kur në aktakuzë ka propozuar që të ftohet dhe sqarohet eksperti financiar. Kjo është me rëndësi sepse unë nuk di a kemi ekspertizë financiare dhe e treta nuk është fare e identifikuar kush është pala e dëmtuar në këtë proces, as në propozim nuk është e cilësuar dikush si palë e dëmtuar. Këto janë argumentet kryesore që është dashtë m’i parashtru para se me vazhdu më tutje”, tha ai.

ATK nuk e pezullon nga puna zyrtarin me aktakuzë për korrupsion

Avokati deklaroi se këto vërejtje po i bënte për të korrigjuar prapë aktakuzën para se të shkohet në kërkesën për hedhje të aktakuzës.

E lidhur me këto vërejtje, gjyqtarja e çështjes, Shadije Gërguri, e udhëzoi atë që të gjitha këto deklarime t’i paraqesë në kërkesën për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Prokurori Krasniqi deklaroi  se veprimet inkriminuese të të pandehurit janë përshkruar në dispozitiv të aktakuzës.

Ndërsa sa i përket ekspertizës tha se Prokuroria ka propozuar që eksperti të dëgjohet në Gjykatë dhe se nuk ka ekspertizë paraprakisht, e për shumën e dëmit deklaroi se ka rrjedhur si rezultat i llogaritjeve të vlerave të përgjithshme të faturave fiktive.

Lidhur me këtë avokati  tha se “sa u përket veprimeve inkriminuese të cilat i potencoi prokurori si përgjigje ndaj pretendimeve të mija, unë nuk e kisha fjalën për veprime inkriminuese, por cilat kane qenë kompetencat dhe detyrat e punës të Safet Krasniqit, që më pastaj te vlerësohet se a janë kaluar a jo ato kompetenca”.

Dështon seanca ndaj zyrtarit të lartë të ATK-së

“Nën 2, prokurori e konfirmoi faktin se nuk është angazhuar asnjë ekspert financiar në fazën e hetimeve për të cilën Prokuroria ka pasur mandat dhe të drejtë që të bëjë me të cilën do të vlerësohej se si ka ardhur deri te shuma e precizuar në dispozitiv, prej 883,478.56 euro. Po ashtu prokurori theksoi se buxheti i Kosovës është i dëmtuar pa e specifikuar se cila organizatë buxhetore që e mbledh buxhetin e Kosovës në rastin konkret është e dëmtuar dhe a ka ndonjë provë materiale me të cilën do të dëshmohej se cilado qoftë organizatë buxhetore është dëmtuar në këtë rast”, shtoi mbrojtësi i të akuzuarit.

Më tutje avokati Pestreshi deklaroi se kjo aktakuzë e precizuar për dallim prej dy aktakuzave te mëhershme fare nuk paraqet se cilave biznese u është mundësuar përfitimi i kundërligjshëm nga ana e të akuzuarit Safet Krasniqi. Mbi këto argumente, avokati Pestreshi e konsideroi aktakuzën me të meta e që nuk i plotëson kushtet për shqyrtim gjyqësor.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori i shtetit Enver Krasniqi, i akuzuari Safet Krasniqi u deklarua i pafajshëm lidhur me veprën penale i cila po i vihet në barrë.

Aktakuza e fundit e precizuar më 21 janar 2020, shpjegon se ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri në periudhën kohore nga vitit 2013 deri në muajin shkurt të vitit 2019, duke vepruar në cilësinë e personit zyrtar në ATK, i pandehuri Safet Krasniqi, në pozitën e ushtruesit të drejtorit të Njësisë së Hetimeve Tatimore dhe të Inteligjencës, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij dhe nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për personat të tjerë, ashtu që ka përfituar dobi pasurore për të tjerët në mënyrë të kundërligjshme.

Më tutje aktakuza shpjegon se i njëjti ka pasur njohuri se ekzistojnë biznese të shumta të cilat janë të përfshira në transaksione fiktive, si dhe ka pasur njohuri se këto biznese me qëllim që t’i shmangen tatimit ndaj buxhetit të Kosovës, nuk i kanë paguar obligimet tatimore, si dhe kanë përpiluar dokumentacion fiktiv me qëllim që t’i ikin tatimit, duke i rritur shpenzimet, duke faturuar mall dhe shërbime inekzistente për të cilat janë lëshuar fatura fiktive nga biznese fiktive, me qëllim që të njëjtat t’i ikin TVSH-së, nuk ka ndërmarrë veprime të vizitave, kontrollit apo inicimit të procedurës penale ndaj bizneseve që kanë deklaruar rrejshëm.

Gjithnjë sipas aktakuzës thuhet se i njëjti me dashje nuk i ka kryer detyrat e domosdoshme që të përcaktuara me ligj, përkatësisht detyrat e parapara në nenin 74,75, dhe 76 të Ligjit të ATK-së, ku si pasojë e veprimeve të pandehurit, këto biznese kanë përfituar shumën prej 883,478,56 euro, në mënyrë të kundërligjshme dhe si pasojë njëkohësisht është dëmtuar edhe buxheti i Republikës së Kosovës, në po të njëjtën shumë nga mospagimi i tatimit në mënyrë të duhur nga këto biznese.

Tutje, thuhet se i pandehuri, po ashtu, u ka mundësuar bizneseve të cilat kanë qenë në përfshirje të blerjeve të faturave fiktive me bizneset fiktive që ta bëjnë korrigjimin e deklarimeve tatimore, të falsifikuar edhe pse i pandehuri e ka ditur se një veprim i tillë është i kundërligjshëm, pasi që bizneset i kanë falsifikuar deklarimet tatimore, me qëllim të shmangies tatimore.

Sipas akuzës, i akuzuari verbalisht i ka autorizuar udhëheqësit e ekipeve të NJHT-së, që të kryejnë vizita dhe rikontrolle te këto biznese dhe të kërkojnë nga ato korrigjimin e deklaratave tatimore që kanë qenë false, fiktive dhe të pasakta, edhe pse përdorimi i dokumenteve të falsifikuara, të rreme apo fiktive sipas nenit 398 të Kodit Penal dhe nenit 63 të Ligjit për ATK-në paraqet vepër penale, ku si pasojë i pandehuri u ka mundësuar bizneseve që t’i shmangen ndjekjes penale nëpërmjet korrigjimit, ku korrigjimi është bërë nga vetë bizneset, por sipas vizitave dhe kërkesave të udhëheqësve të ekipeve dhe hetuesve tatimorë të NJHT-së, të cilët kanë bërë vizitat dhe kërkesat për korrigjim sipas urdhrit të të pandehurit.

Më tutje në aktakuzë thuhet se i pandehuri në një takim të mbajtur me Jeton Dragushën dhe Kadri Gashin, më 29 korrik 2013, në zyrë të NJHT-së, ka kërkuar nga ata që t’u japin afat kohor prej 5-7 ditëve bizneseve që kanë pasur kontroll më herët të cilat të përshkruara në arsyetimin e kësaj aktakuze e që kanë rezultuar me fatura fiktive, në mënyrë që të njëjtat t’i korrigjojnë deklarimet si dhe i pandehuri ka kërkuar që ndaj këtyre bizneseve të mos iniciohet ndjekja penale edhe pse i pandehuri ka qenë i obliguar me ligj që të kryejë hetim penal.

Në nëntor të vitit 2016, emisioni “Jeta në Kosovë” kishte realizuar një seri hulumtimesh rreth vjedhjes së organizuar tatimore.

Në pjesën e parë të emisionit ‘’Jeta në Kosovë’’ për vjedhjet e organizuara tatimore, Murat Mehmeti ka rrëfyer se si kanë arritur disa biznese të udhëhequra nga një kontabilist t’u ikin pagesave tatimore duke i shkaktuar buxhetit të Kosovës dëm në vlerë miliona euro.

Pjesa e dytë e trilogjisë së emisionit ‘’Jeta në Kosovë’’ i është kushtuar skemës së evazionit fiskal të cilën e ka zbuluar Mehmeti.

Pas këtij zbulimi Murat Mehmeti është përballur me presione dhe transfere në punën e tij.

www.kallxo.com