Deklarohet i pafajshëm Hysni Gucati

Kryetari i OVL- UÇK-së, Hysni Gucati është deklaruar i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës së prokurorëve të specializuar.

“Në të gjitha pikat që mu lexuan deri me tash e ndiej veten të pafajshëm”, tha shkurt Gucati.

Gjatë fjalimit të tij ai foli edhe për luftën e UÇK-së duke thënë se ka dalë që ta mbrojë pragun e shtëpisë dhe se nuk ka qenë pushtues.

“Unë Hysni Gucati dhe bashkëluftëtarët e mi e kemi mbrojtur pragun e shtëpisë dhe atdheun tonë dhe si pasojë unë jam plagosur me 3 qershor të vitit 1999 dhe sot jam invalid i luftës të UÇK-së.  Ne nuk e kemi pushtuar Serbinë, ne jemi në pafajshëm, unë kam të drejtën e lirisë dhe të shprehjes dhe të drejtën ti shpreh mendimet e mia”, tha Gucati.

Paraqitjen e parë për këto akuza e bëri sot edhe nënkryetari i OVL-së, Nasim Haradinaj.

Haradinaj gjatë seancës pasi iu lexuan akuzat deklaroi se në vend të tij i akuzuar duhet të ishte dikush nga prokuroret e specializuar.

Gucati dhe Haradinaj akuzohen për vepra penale të pengimit të administrimit të drejtësisë.

Ata kishin dalë para dhomave të Specializuara në kohën kur ishin arrestuar dhe dërguar në Hagë.

Ata po qëndrojnë në masën e paraburgimit që  nga koha kur ishin arrestuar në Kosovë.

Sipas aktakuzës në prill dhe shtator 2020,bënë deklarata akuzuese për dëshmitarë që bashkëpunojnë me ZPS-në dhe për persona të tjerë, duke i quajtur ata, ndër të tjera, gënjeshtarë, bashkëpunëtorë dhe tradhtarë.

Ata akuzohen edhe se shpërndanë pa autorizim informacion konfidencial dhe jopublik në lidhje me hetimet konfidenciale të Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së, inkurajuan të tjerë të shpërndanin më tej informacion konfidencial dhe jopublik

Sipas dhomave të Specializuara të dy organizuan dhe bashkërenduan së bashku me disa të tjerë shpërndarjen e paautorizuar të informacionit konfidencial dhe jopublik dhe veprime të tjera në lidhje me të.

Madje në aktakuzë thuhet se të dy në cilësinë e kryetarit dhe nënkryetarit OVL-UÇK-së, mbajtën një konferencë për shtyp në të cilën i ekspozuan dokumentet e DSP-së mbi një tavolinë.

Sipas DSP ata mbajnë përgjegjësi për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Aktakuza kundër tyre ishte bërë publike me 14 dhjetor të këtij viti.

Gucati dhe Haradinaj ishin arrestuar gjatë muajit shtator në zyrat e OVL-UÇK-së dhe ishin transferuar në Hagë.

Nisen për në Hagë të arrestuarit e sotëm, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj