Foto: KALLXO.com

Deklarohen të pafajshëm të akuzuarit për keqpërdorim të pozitës si dhe shmangie nga pagesat doganore

Në Gjykatën e Ferizajt është mbajtur seanca ndaj Afrim Matoshit, Bekim Ramushollit, Muhamed Beqirit, të cilët nga Prokuroria akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe Fatmir Xhemshitit e Mustaf Smajlit, të cilët po akuzohen për shmangie mashtruese nga pagesat e detyrueshme doganore.

Kjo seancë ka filluar rishtazi shkaku i ndërrimit të kryetarit të trupit gjykues – Musa Konxhelit, i cili është avancuar në Departamentin Special.

Tani kryetar i trupit gjykues është gjyqtari Mustafë Tahiri.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori i rastit, Rasim Maloku, të akuzuarve iu dha mundësia të deklarohen lidhur me fajësinë.

Të gjithë të akuzuarit veç e veç nuk e pranuan fajësinë për veprat me të cilat ngarkohen.

Pas kësaj, avokati mbrojtës i të akuzuarit Muhamed Beqiri, Admir Salihu propozoi që si provë të administrohet kopja nga regjistri online i programit “Asycuda”, ku, sipas tij, janë të evidentuara gjurmët e veprimeve të klientit të tij.

Trupi gjykues vendosi që të administrohet si provë kjo kopje e regjistrit.

Po ashtu, avokati propozoi që të caktohet një ekspertizë financiare, të cilën e aprovoi trupi gjykues.

Deklaratat e dëshmitarëve të dëgjuar në seancat e kaluara para ish-kryetarit të trupit gjykues Musa Konxheli me propozimin e palëve u deklaruan të lexuara.

Në aktakuzën e Prokurorisë theksohet se më 28.4.2015 rreth orës 16:45 në terminalin doganor në Ferizaj,Afrim Matoshi në cilësinë e personit zyrtar duke shfrytëzuar autoritetin e tij zyrtar me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete dhe kompaninë “DARD Sh.p.k.” ka tejkaluar kompetencat e tij, e ka lejuar një automjet furgon të llojit “Fiat”, të cilin ishte duke e drejtuar Mustaf Smajli, që ishte e ngarkuar me mall tekstil dhe që kishte dalë pa fletëdalje nga terminali doganor “Fitorja”, ku pasi është kontrolluar malli në maunë dhe në kombi, për zhdoganim, është konstatuar se në bazë të faturave me DUD (deklaratë unike doganore), nuk përputhet vlera e mallit dhe është gjetur malli i padeklaruar dhe mall i deklaruar jo saktë në vlerë totale 240.278.91 euro.

Me çka Afrim Matoshi sipas Prokurorisë  ka kryer veprën penale – keqpërdorim i pozitës zyrtare.

Sipas Prokurorisë në datën dhe vendin e njëjtë, Bekim Ramusholli dhe Muhamed Beqiri me qëllim të përfitimit pasuror për vete dhe kompaninë “DARD Sh.p.k.” me dashje i ka ndihmuar personit zyrtar Afrim Matoshit të kryejë veprën penale.

Sipas aktakuzës pretentohet se Muhamed Beqiri në cilësinë e shpediterit nuk i ka plotësuar të dhënat e duhura për zhdoganim të mallrave për kompaninë “DARD Sh.p.k.”.

Ndërsa Bekim Ramusholli në cilësinë e  punëtorit të rampës në terminalin doganor “Fitorja” ka lejuar që nga terminali doganor pa fletëdalje të dalë furgoni i llojit “Fiat”, të cilin e drejtonte Mustaf Smajli.

Me çka sipas Prokurorisë Muhamed Beqiri e Bekim Ramusholli kanë kryer veprën penale – keqpërdorim i pozitës në ndihmë.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, në datën, kohën dhe vendin e njëjtë me qëllim që personit tjetër t’i mundësojnë shmangie nga pagesat e tarifave tatimore doganore që paguhen në rastin e importit apo eksportit të mallrave, nuk ka paraqitur dokument legal gjegjësisht kanë paraqitur rrejshëm, në atë mënyrë që kanë dalë nga terminali doganor ku malli i kompanisë “DARD Sh.p.k.” i po të njëjtës ngarkesë dhe furgoni i tipit “Fiat” i cili është larguar sipas udhëzimeve të Fatmir Xhemshitit, me qëllim që sasia e mallit që ka qenë në furgon të mos u nënshtrohet taksave doganore.

Dhe gjithashtu pjesa tjetër e mallit që iu nënshtrua kontrollit doganor ka shkaktuar shmangie nga detyrimet doganore me çka ky mall me urdhër të Gjykatës është konfiskuar, e Mustaf Smajli në cilësinë e vozitësit ka ikur nga mbikëqyrja doganore pa paguar taksat për mallin me të cilën kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë 66.335.46 euro.

E që sipas Prokurorisë, Fatmir Xhemshiti dhe Mustaf Smajli kanë kryer veprën penale shmangie mashtruese nga pagesat e detyrueshme doganore.

Seanca e radhës është vendosur të caktohet pas pranimit të ekspertizës financiare.