Deklarohen rreth fajësisë babai dhe fëmijët e tij të akuzuar për shpëlarje të parave

Në Gjykatën e Prishtinës është mbajtur shqyrtimi fillestar në rastin e 4 të akuzuarve për shpëlarje të parave.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja e Prokurorisë Speciale, Fikrije Fejzullahu, i akuzuari J.T. dhe fëmijët e tij të akuzuar B.T., Q.T. dhe A.T. thanë se ndihen të pafajshëm rreth akuzës që u vihet në barrë.

Kujtojmë se para fillimit të seancës, mbrojtësi i të akuzuarit B.T., avokati Ramiz Krasniqi, me kërkesë të të akuzuarve kërkoi nga Gjykata që emrat e të akuzuarve në këtë rast të mos publikohen në mënyrë të plotë por të dalin vetëm me iniciale.

Kjo kërkesë u aprovua nga gjykatësja Valbona Selimaj, ndonëse nuk u dha ndonjë arsyetim se pse emrat e të akuzuarve të dalin vetëm me iniciale.

Më pas, gjykatësja Selimaj njoftoi palët se brenda afatit prej 30 ditësh kanë të drejtë të ushtrojë kërkesë për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtimit të provave.

Kurse shqyrtimi i dytë në këtë rast u caktua për më 15 janar 2021.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, B.T., gjatë periudhës kohore 2010-2018 me qëllim të përfitimit në mënyrë të kundërligjshme e duke bashkëvepruar me shtetasin holandez J.G., tashmë i ndjerë, me qëllim të fshehjes së natyrës, burimit, vendit, destinacionit, lëvizjes së pasurisë së përfituar me aktivitet kriminal nga J.G., ka bashkëvepruar me familjarët A.T., Q.T., dhe J.T.

B.T., fillimisht të lartcekurit i ka udhëzuar të hapin llogari bankare dhe të regjistrojnë firma në emër të tyre e pastaj i ka udhëzuar si të veprojnë me shuma të mëdha në vlerë prej 706.887.00 euro.

Më pastaj i pandehuri B.T., së bashku me J.G., kanë hapur firmën “J & B” sh.p.k,  gjoja se për ndërtimin e objekteve banesore dhe jobanesore, firmë kjo e cila nuk ka ushtruar asnjë aktivitet ekonomik por me qëllim të fshehjes së pasurisë së përfituar me veprim kriminal, ka realizuar transaksione bankare në shuma të ndryshme në emër të Q.T.

Tutje, në aktakuzë thuhet se Q.T. dhe A.T. kanë hapur firma fiktive ku kanë pranuar shuma të ndryshme nga personi J.G., nga Holanda dhe Turqia, shuma këto të cilat sipas sugjerimeve të B.T., me përshkrimin “hulumtimit të tregut”, i kanë transferuar në llogari të ndryshme të J.G., në Holandë, Turqi, Belgjikë, Spanjë e Gjibraltar.

Ndërkaq, i pandehuri J.T. ka bashkëpunuar me anëtaret e familjes së tij  B.T., Q.T., A.T., ashtu që duke e ditur se pasuria është fituar me aktivitete kriminale ka blerë dy banesa në Prishtinë me qëllim të maskimit të këtyre parave.

Për këtë Prokuroria i akuzon për veprën penale – shpëlarje e parave.