Seanca ndaj të akuzuarve për keqpërdorim, dëmtim dhe uzurpim të pronës ‘Teqeja Melami’ - FOTO Arlinda Mehmeti - KALLXO - 23.05.2022

Deklarohen për fajësinë shtatë të akuzuarit për keqpërdorim, dëmtim dhe uzurpim të pronës ‘Teqeja Melami’

Islam Thaçi, Fatmir Memaj, Refki Muzbeg, Enver Bytyqi, Krenare Koçi, Agron dhe Valbon Kastrati, janë ulur në bankën e të akuzuarve për t`u përballur me aktakuzën e prokurorisë.

Një varg akuzash që kanë të bëjnë ndër tjerash me keqpërdorim të detyrës, uzurpimin dhe dëmtimin e “Teqes Mevlani”, përshkruhen në aktakuzën e Prokurorisë së Prizrenit.

Për të gjitha këto pretendime, të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm.

“Jo, nuk e pranojë fajësinë”, tha ish – drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit, Islam Thaçi.

E pas tij, i mohuan akuzat edhe gjashtë të akuzuarit e tjerë.

Sipas prokurorisë, më 22 shkurt 2019, në rrugën “Pushkatarët” në Prizren, Islam Thaçi, në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë për Inspekcion të Komunës së Prizrenit, Fatmir Memaj, në cilësi të Drejtorit të Drejtorisë për Urbanizëm e Planifikim Hapësinor të Komunës së Prizrenit, Refki Muzbeg, në cilësi të bashkëpunëtorit Profesional të Drejtorisë për Urbanizëm e Planifikim Hapësinor të Komunës së Prizreni, Enver Bytyqi, si inspektor i ndërtimtarisë në Drejtorinë për Inspekcion të Komunës së Prizrenit dhe Krenare Koci, në cilësi të shefes së kabinetit të Kryetarit të Komunës së Prizrenit tejkalojnë kompetencat dhe detyrat e tyre zyrtare.

Aktakuza përshkruan se në kundërshtim me “Ligjin për inspekcionin e mjedisit, ujërave, natyrës dhe planifikimit hapësinor”, “Ligjin për qendrën historike të Prizrenit”, si dhe në kundërshtim me “Ligjin për vetëqeverisje lokale”, me dije formojnë komision për vlerësimin e ndërtimit të objektit nga investitorët Agron dhe Valbon Kastrati.

Tutje thuhet se shfuqizojnë urdhër-ekzekutimin e Inspektoratit Komunal të Ndërtimtarisë të Drejtorisë së Inspektorateve të Komunës së Prizrenit të datës 3 dhjetor 2018, ndërprenë punimet rreth rrënimit, me arsyetimin se mund të dëmtohet objekti fqinj “Teqeja Melami”, i cili objekt është i mbrojtur me Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit, duke i mundësuar investitorëve Agron dhe Valbon Kastrati, ndërtimin e ndërtesës në kundërshtim me lejet për ndërtim.

Prokuroria më tej pretendon se zyrtarët e kësaj Komune kanë lejuar bashkimin e parcelave kadastrale dhe ndërtimin e një objekti në disa parcela kadastrale, me ç’rast investitorëve Agron dhe Valbon Kastrati u kanë mundësuar përfitim 525.42 m2 në gabaritin – sipërfaqen e objekteve hoteliere jashtë lejeve hoteliere.

Njëkohësisht kanë lejuar që këta investitor të uzurpojnë 9 m2 nga parcela kadastrale e cila evidentohet në emër të pasurisë shoqërore pasuria “Teqe Melami” duke dëmtuar rëndë Qendrën Historike të Prizrenit.

Kështu, sipas prokurorisë të akuzuarit i kanë shkaktuar dëm Komunës së Prizrenit në vlerën prej 2,201 euro në emër të taksave të papaguara dhe 3,150 euro për uzurpimin e pronës.

Me këto veprime të akuzuarit e lartcekur, në bashkëkryerje, akuzohen se kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtare.

Të përfshirë në aktakuzë janë edhe të pandehurit Agron dhe Valbon Kastrati të cilët më 8 maj 2018, në rrugën “Pushkatarët” në Prizren, si pronarë të objekteve ndërtimore afariste, dëmtojnë monumentin ose objektin e mbrojtur kulturor, historik dhe fetar.

Organi i akuzës ka përshkruar se derisa të njëjtit po bënin ndërtimin e objektit afarist me etazhitet B+P+1, nuk i respektojnë kushtet nga lejet e ndërtimit, dhe me këtë rast gjatë hapjes së bodrumit të ndërtesave dëmtohet konstruksioni struktural i monumentit historik, i cili është monument i trashëgimisë kulturore dhe mbrohet me ligj në listën e trashëgimisë kulturore për mbrojtjen e përkohshme.

Sipas Prokurorisë, me këto veprime, të pandehurit Agron dhe Valbon Kastrati në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paautorizuar e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës.

Në pikën tjetër të aktakuzës thuhet se Agron dhe Valbon Kastrati nga data 8 maj 2018 e në vazhdim, në mënyrë të kundërligjshme kanë uzurpuar pronën e paluajtshme të personit tjetër, e cila evidentohet në emër të pasurisë shoqërore pasuria “Teqesë Melami” e që konsiderohet  tokë ndërtimore, me ç’ rast i kanë shkaktuar dëm Komunës së Prizrenit në vlerën e 9 m2.

Me këto veprime, të pandehurit ngarkohen se kanë kryer veprën penale uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme.