Pal Lekaj në gjyq - Foto: KALLXO.com

Deklarim jo i saktë se të akuzuarit për 53-milionëshin janë dënuar me vetëm 3 vjet burgim

04.07.2024 një person me emrin Elez Neziraj ka publikuar një status (arkiv) në rrjetin social Facebook në të cililin flet për dënimet e shqiptuara nga gjykatat për rastin e njohur si rasti i 53-milionëshit.

Publikimi i Nezirajt është shpërndarë në të paktën 16 grupe në Facebook, të cilat kanë mijëra ndjekës.

Në publikimin e tij Neziraj vendos konstatimin se drejtësia është në përkrahje të krimit.

Influenceri synon që këtë argument ta mbështesë me konstatime të cilat janë të pavërteta.

Në postimin e tij Neziraj përmend se: “U denuan tre persona për vjedhjen e 53 milionëve€ me tre vjet burg!” Secili i bjen në vjet me i fitue afër 1.7 milion euro në vit apo afër 60 mijë euro në ditë!”.

Ky postim i referohet procesit gjyqësor të rastit, ku i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare është ish-ministri Pal Lekaj, këshilltari i tij politik, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri.

Verifikuesit e fakteve kanë kontrolluar dhe kanë konstatuar se publikimi është i pasaktë pasi Gjykata nuk i ka dënuar tre personat me tre vjet burgim por me 10 vjet e 3 muaj burg në total dhe disa dënime plotësuese.

Vendimi i Gjykatës i shqiptuar atë ditë potencon se Pal Lekaj dënohet me 3 vjet e 8 muaj burgim, Eset Berisha me 3 vjet e 3 muaj, Nebi Berisha me 1 vit e 8 muaj burgim dhe Besim Tahiri me 1 vit e 8 muaj.

Kjo gjë mund të verifikohet lehtë pasi shpallja e aktgjykimit për këtë rast ka qenë e hapur për publikun dhe ka pasur një numër të madh të mediave që kanë raportuar nga shpallja e aktgjykimit.

31.01.2024 ishte bërë shpallja e aktgjykimit për këtë rast nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani.

Pretendim tjetër i pabazuar në këtë postim del të jetë: “Secili i bjen në vjet me i fitue afër 1.7 milion euro në vit apo afër 60 mijë euro në ditë!”.

“Në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurit e tjerë duke shfrytëzuar detyrën zyrtare me qëllim t’i shkaktojnë dëm buxhetit të shtetit në dobi të personave të tjerë”- citat nga aktakuza e Prokurorisë Speciale ndaj Pal Lekajt dhe tre të tjerëve.

Prokuroria nuk ka akuzuar Pal Lekajn dhe tre të tjerët për përvetësim të parasë së shtetit, por Prokuroria ka akuzuar të njëjtit se i kanë mundësuar fitim prej 53 milionë eurove shtesë kompanisë e cila ishte kontraktuar për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi” “Bechtel & Enka”, krahas kontraktimit fillestar në vlerë prej 600 milionë euro.

Sipas Prokurorisë, historia nis në vitin 2017 kur Ministria që drejtohej nga Pal Lekaj nënshkroi një marrëveshje me kompaninë “Bechtel-Enka” për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit për 347 ditë të tjera duke mos përcaktuar koston financiare.

Kjo, sipas aktakuzës, i kishte hapur rrugë kompanisë që më 27 nëntor 2017 të paraqesë një kërkesë në Ministrinë e Infrastrukturës për pagesë të shumës shtesë “Briefing Package” në vlerë prej 63 milionë euro në emër të “zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve”.

Kërkesa e njëjtë më pastaj ishte zbritur në 53 milionë e 100 mijë euro, e cila edhe ishte ekzekutuar më 5 qershor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës.