Pallati i Drejtësisë
Deklaratat e pavërteta për hetime nga Gjykata
Në njërën nga çështjet e përfolura të ndarjes mes bashkëshortëve ifluencerë u konstatuan raportime të pasakta nga disa faqe në internet.
Faqja “Icon” më 17.09.2024 (arkiva) në Facebook ka shpërndarë një fotografi të ish-reperit Feronit Shabani, i njohur si “Fero”, së bashku me ish-bashkëshorten e tij dhe vajzën e tij të mitur me mbishkrim: “Akuzat e Feros për rrëmbimin e vajzës, gjykata nis hetimin ndaj Arbenitës”.
Platforma keqinterpretoi deklaratat e ish-këngëtarit dhe ngriti pretendime se Gjykata e Gjilanit është duke hetuar ngjarjen.
Verifikuesit e fakteve konstatuan se në këtë rast ka informacione të pasakta, të cilat qytetarët që kanë çështje të besimit të fëmijëve mund t’i keqinformojnë për rolin e Gjykatës dhe Prokurorisë në situata të tilla.
Sipas ligjit, hetimet penale në rastet kur ka pretendime për kidnapim apo keqpërdorim të besimit të fëmijëve kryhen nga Prokuroria dhe jo nga Gjykata.
Kjo është konfirmuar edhe nga Gjykata e Gjilanit, e cila në një përgjigje me shkrim për KALLXO.com ka konfirmuar se hetimet në këtë rast janë në dorë të Prokurorisë dhe jo të Gjykatës.
“Ju njoftoj që Gjykata nuk heton raste, por i gjykon rastet”- ka konfirmuar për KALLXO.com Gjykata e Gjilanit.
Pra, në Kodin e Procedurës Penale tregohet qartë kompetenca që ka Prokuroria.
Sipas kësaj dispozite institucioni i vetëm për hetimin dhe ndjekur çështje penale konsiderohet Prokuroria e Shtetit në akordancë me Policinë.
“Kompetencat dhe struktura e Prokurorive Themelore, Prokurorisë Speciale, Prokurorisë së Apelit dhe Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit për të hetuar dhe ndjekur çështjet penale përcaktohen me Ligjin përkatës për Prokurorin e Shtetit dhe Ligjin përkatës për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës”- thuhet në nenin 45 të Kodit të Procedurës Penale.
Ndërsa Gjykata nuk zhvillon hetime por vetëm vendos lidhur me çështjet që propozohen për trajtim nga palët, qoftë në lëmin e çështjeve penale, qoftë në lëmin e çështjeve civile.
“Gjykatat Themelore janë kompetente për të gjykuar në shkallë të parë të gjitha çështjet, përpos nëse me ligj parashihet ndryshe”- thotë neni 12 i Ligjit për Gjykatat, i cili tregon juridiksionin e gjykatave.
Marrja apo mbajtja e kundërligjshme e fëmijës është vepër penale e ndëshkueshme në Kodin Penal të Kosovës nga 1 deri në 3 vite dënim me burgim.
Hulumtuesit kanë kontaktuar me avokaten e ish-bashkëshortes së Feronit Shabanit, Blinera Osmani.
Ajo ka thënë se ekziston ujdia gjyqësore lidhur me kujdestarinë e fëmijës së tyre të përbashkët.
Pra, sipas saj, janë vetëm pretendime të palës tjetër për të cilat veçse është arritur ujdia gjyqësore mes palëve lidhur me mbajtjen e fëmijës së mitur.
“Jo, ajo është, ato janë pretendime të tij. Natyrisht që unë nuk kam nevojë me i komentu, këto veprime merren në bazë të një ujdie gjyqësore që palët janë pajtu me i zbatu dhe i kanë nënshkru për zbatimin e saj. Kështu që nuk ka këtu kurrfarëë rrethane tjetër dhe të gjitha autoritetet e kanë zbatu këtë ujdi gjyqësore përfshirë edhe klienten time”- tha avokatja e Arbenita Ismajlit, Blinera Osmani.
Sipas të dhënave që kanë siguruar verifikuesit e fakteve, i tërë rasti fillesën e ka më 11.07.2023, kur Feronit Shabani nga Prokuroria dyshohej se ka ushtruar dhunë psikike ndaj Arbenita Ismajlit kur kjo e fundit kishte kërkuar që të merrte vajzën e saj dhe të përfundonin raportin bashkëshortor që e kishin.
Kjo kërkesë e Ismajlit, sipas Prokurorisë, kishte sjellë shenjë revolte te Shabani i cili kishte filluar në përdorim të dhunës fizike, me çka sipas Prokurorisë i njëjti kishte konsumuar elementet e veprës penale – dhuna në familje.
Më 25.07.2023 Gjykata në Gjilan kishte marrë vendim për t’i dhënë urdhër mbrojtjeje Arbenita Ismajlit.
Njëkohësisht në këtë urdhër mbrojtje ishin shqiptuar edhe disa kushte të tjera të cilave duhej t’u përmbahej Feronit Shabani.
Gjykata e Gjilanit Shabanit ia kishte ndaluar që të ofendojë, shqetësojë, përulë, godasë, kërcënojë, sulmojë, ndjekë e përcjellë, kontaktojë në çfarëdo forme të dëmtuarën.
Tutje Shabanit i ishte ndaluar që t’i afrohet të dëmtuarës në distancë prej jo më shumë se 100 metra afër shtëpisë së saj, ndërsa në vende publike distanca do të ishte rreth 20 metra.
Pikërisht në këtë urdhër mbrojtës ishte vendosur përkohësisht kujdestaria e fëmijës së mitur, duke i falë besimin Ismajlit që të kujdeset për 2-vjeçaren, ndërsa Shabanit do t’i lejohej kontakti me të dy ditë brenda javës për tri orë.
Ky urdhër mbrojtës do të kishte afat zbatimi 12 muaj, pra deri më 25.07.2024.
Lidhur me rastin e 11.07.2023, Prokuroria në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj Feronit Shabanit më 31.07.2024, duke e akuzuar të njëjtin për veprën penale – dhunë në familje.
Lidhur me këtë akuzë Shabani kishte pranuar fajësinë në seancën e shqyrtimit fillestar më 03.08.2023 dhe nga Gjykata e Gjilanit ishte dënuar me 2,000 euro dënim me gjobë, dhe me 8 muaj dënim me burgim me kusht nëse brenda periudhës kohore prej 1 viti nuk kryen vepër të re penale, dënimi me burgim nuk do të mbahet.