Vendi ku u vra Oliver Ivanoviqi - Foto: KALLXO.com

Deklarata kundërthënëse nga avokati dhe prokurori për aktakuzën e vrasjes së Oliver Ivanoviqit

Në fillim të këtij muaji, prokurori special Sylë Hoxha i cili është duke hetuar vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq, kishte paralajmëruar se brenda muajit nëntor pritet të ngritet aktakuzë rreth këtij rasti.

Që nga janari i vitit 2018 që kur kishte ndodhur vrasja e Ivanoviq para selisë së partisë së tij e deri më tani janë arrestuar shtatë persona, zyrtarë policorë për keqpërdorim të pozitës zyrtare e gjithashtu policia ende është në ndjekje të personit kryesor që dyshohet se ka lidhje më këtë ngjarje, Milan Radojiqiq ndaj të cilit ka edhe fetëarrest ndërkombëtar.

Por gjatë ditës së sotme, prokurori dhe avokati mbrojtës i njërit nga të arrestuarit kanë dhënë deklarata kundërthënëse në lidhje me aktakuzën për të cilën ende nuk është e qartë nëse është e gatshme apo jo.

KALLXO.com ka kontaktuar me avokatin Mahmut Halimi, mbrojtës i të dyshuarit Marko Roshiq, i cili ka thënë se ka marrë informatë nga prokurori speciale Sylë Hoxha se e ka përfunduar aktakuzën dhe e ka dërguar për përkthim.

“Unë informatën e kam marrë nga prokurori i rastit Sylë Hoxha, se aktakuza është gati vetëm është dërguar për përkthim”, tha Halimi.

Por një gjë të tillë e ka mohuar, prokurori Hoxha i cili po heton vrasjen e Ivanoviq.

“Jo nuk është e vërtetë, nuk e kam përfunduar ende, jam duke punuar, nuk i kam thënë askujt, lërë cfarë thonë të tjerët”, tha Hoxha për KALLXO.com.

Në mars të vitit 2018, Prokuroria Speciale kishte marrë përsipër hetimin për vrasjen e Ivanoviçit

EKSKLUZIVE: Prokuroria Speciale Merr Përsipër Hetimin për Vrasjen e Ivanoviqit

I dyshuari Marko Roshiq është pjesëtar i Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës, e që nga 23 nëntori i vitit 2018 i njëjti po qëndron nën masën e paraburgimit.

Me rastin e ngritjes së aktakuzës, kush janë të dyshuarit dhe bëhet fjalë për aktakuzë që i përfshin të shtatë të dyshuarit e rastit dhe për cilat vepra penale bëhet fjalë, avokati Mahmut Halimi ka thënë se nuk ka njohuri, por kjo do të kuptohet kur Prokuroria  zyrtarisht dorëzon aktakuzën.

Oliver Ivanoviq, kreu i një partie serbe të Kosovës të quajtur Liri, Demokraci dhe Drejtësi, u qëllua para zyrës së tij më 16 janar dhe vdiq më pas në spital.

Vrasja e tij është dënuar gjerësisht nga zyrtarët e BE-së, ata serbë dhe kosovarë.

Ai po rigjykohej për urdhërimin e vrasjes së shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999, gjatë luftës së Kosovës për pavarësi. Ai e deklaroi veten të pafajshëm.