Dëgjohen dy dëshmitarë në rastin e përvetësimit të mbi 1 milion eurove

Zyrtarët e AKPPM-së, Mendim Sojeva dhe Ganimete Gashi- Ahmeti të akuzuar për përvetësimin e mbi 1 milion eurove janë ballafaquar me rrëfimet e dy dëshmitarëve në seancën e sotme ndaj tyre.

Në seancën e sotme u dëgjuan në cilësinë e dëshmitarëve, Demë Rexhepi si udhëheqës i njësisë së auditimit të brendshëm në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Fejzullah Fejza, auditor në Zyrën Kombëtare të Auditimit.

Sipas deklarimeve të Rexhepit nga pasqyrat financiare nuk ka vërejtur ndonjë parregullsi tjetër përveç mos mbylljes së avanseve, ndërsa shpenzimet nga buxheti me kode jo adekuate sipas tij nuk janë të  lejuara.

Për të akuzuarën Ganimete Gashi- Ahmeti, dëshmitari Rexhepi tha se ishte një bashkëpunuese dhe profesioniste e mirë.

Sa i përket avanseve në këtë çështje dëshmitari Fejzullah Fejza gjatë seancës deklaroi se Ministria e Shëndetësisë ka raportuar avanse të pa arsyetuara.

“Në kuadër të pasqyrave financiare i kemi gjetur 4 çështje që i kanë modifikuar opinionin çështja e 4-të lidhet me avanset. Tek neni 20 ju kemi referuar pasqyrave financiare, raporti për avanset e pa arsyetuara ishte nënvlerësuar për 502,486 euro. Kategorinë e avanseve të pa arsyetuara nuk ishim në gjendje ta testojmë për faktin se për mostrat tona të përzgjedhura menaxhmenti i ministrisë nuk ishte në gjendje të na ofroj dokumentacionin e nevojshëm, si kërkesën e aprovuar për udhëtim zyrtar, ftesën, agjendën ,kërkesën për zotim dhe urdhër obligimin për pagesë”- tha Fejza.

Mendim Sojeva si udhëheqës i financave në Agjensinë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM) akuzohet se kishte tërhequr mbi 1 milion euro.

Këtë shumë akuzohet se e kishte tërhequr në emër të avanseve për udhëtime zyrtare të cilat nuk ka dëshmi se ishin aprovuar paraprakisht nga menaxhmenti.

Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK) përmes këtyre veprimeve Sojeva i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit mbi 1 milion euro.

Përpos akuzës për përvetësim në detyrë ai akuzohet edhe për veprën penale të hyrjes në sisteme kompjuterike.

Këtë vepër akuzohet se e ka kryer së bashku me zyrtaren për shpenzime Ganimete Gashi- Ahmeti.

PSRK pretendon se të akuzuarit në mënyrë të pa autorizuar kanë hyrë në Sistemin Informativ të Financave të Kosovës (SIMFK), me fjalëkalim të personave zyrtarë të Ministrisë së Financave të departamentit të Thesarit.

Sipas aktakuzës ata kanë mbyllur avanset duke bërë regjistrimin si shpenzim me certifikim të avanseve për udhëtime zyrtare, të tërhequra nga banka me user-a të zyrtarëve të AKPPM-së.