llustrim

Deçanasi i akuzuar si veteran i rrejshëm: Ma keni njollosur dinjitetin

Xhevat Ahmetxhekaj nga Isniqi i Deçanit nuk e ka pranuar fajësinë në akuzat se ka prezantuar dokument të falsifikuar me qëllim të përfitimit të pagës se statusit të veteranit luftëtar.

“Nuk e pranoj fajësinë për këtë vepër penale. Mua më është njollosur dinjiteti”, deklaroi 60 vjeçari Ahmetxhekaj sot para Gjykatës në Pejë.

Xhevat Ahmetxhekaj akuzohet nga Prokuroria e Pejës se ka prezantuar dokumente të falsifikuara para organit kompetent, me qellim të përfitimit të pagës se statusit të veteranit luftëtar të UÇK-së.

Në dosjen e Prokurorisë specifikohet dëmi i shkaktuar Ministrisë se Punës dhe Mirëqenies Sociale, në vlerë prej 3,570 euro.

Seanca e radhës mbahet me 23 Shkurt.

Prokuroria Speciale e Republikës se Kosovës, ka deleguar për hetime të mëtutjeshme Prokurorisë se Pejës mbi 7,000 aplikacione nga “Dosja e Veteranëve të Rrejshëm”.

Për hetimin e këtyre dosjeve Prokuroria e Pejës ka caktuar dy prokurorë me vendim.

Sipas të dhënave qe ka siguruar KALLXO.com deri më tani Prokuroria e Pejës ka ngritur mbi 40 aktakuza lidhur me këtë dosje.