Foto: REL

DASh- Gjykatat e Kosovës shihen si të ndikuara dhe me drejtësi selektive

Sistemi gjyqësor kosovar është vlerësuar dobët në raportin vjetor të Departamentit të Shtetit Amerikan për klimën e investimeve në botë.

Në këtë raport, DASh-i sistemin ligjor e ka cilësuar si jo efikas në trajtimin e lëndëve të natyrës ekonomike si dhe të ndikuar politikisht.

Në raport është thënë se përkundër reformave të rëndësishme dhe përmirësimeve në efikasitetin e gjykatave prapë se prapë gjyqësori nuk ka ekspertizë të mjaftueshme për të trajtuar në mënyrë efektive çështjet komplekse të natyrës ekonomike.

Sipas këtij raporti, gjykatat e Kosovës janë cilësuar të ndikuara politikisht dhe është thënë se në raport me palët, gjykatat e Kosovës kryejnë “drejtësi selektive”.

“…Ndërsa ankuesit kanë të drejtë të kundërshtojnë vendimet e gjykatave, rregulloret dhe veprimet e përmbarimit në sistemin e rregullt gjyqësor, si dhe Gjykatën Kushtetuese, gjykatat e Kosovës shihen si të ndikuara politikisht nga dega ekzekutive, me trajtim të veçantë ose “drejtësi selektive” – profile, individë të lidhur me njëri tjetrin” thuhet në raportin e DASh-it.

E sa i përket shqiptimit të dënimeve është thënë se ndonëse dënimet e shqiptuara nga gjykatat e Kosovës, zakonisht përputhen me mesataren rajonale, raporti ka gjetur se këto dënime kur filtrohen e krahasohen për raste të profilit të lartë të korrupsionit, atëherë ka shumë mos përputhje dhe disbalanc.

Sa i përket legjislacionit në Kosovë, në raport janë konsideruar shumë të rëndësishme ndryshimet e reja që janë bërë në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, ndryshimet për të cilat është thënë se janë bërë në përputhje me Konventën e Bashkimit Evropian për të Drejtat e Njeriut.

Raporti i DASh-it gjithashtu ka përmendur platformën e prokurimit elektronik të cilën e ka cilësuar si shumë funksionale, platformë për të cilën është thënë se a ka rritur shumë transparencën gjatë procedurave të prokurimit publik.

Raporti përmend edhe faktin se Kuvendi i Kosovës përmes gazetës zyrtare publikon projektligjet në faqen e tij të internetit, me ç ‘rast palëve të interesit u jepet mundësia që përmes dhënies së komenteve të tyre të japin kontribut rreth ndryshimit të projektligjeve të ndryshme, për të cilat departamenti ka theksuar se paraprakisht në secilin rast kërkohet një vlerësim i detajuar i ndikimit të çdo implikimi buxhetor përpara çdo iniciative për ndryshim dhe zbatim të rregulloreve të reja.

Por përkundër kësaj, raporti thotë se përkundër strategjisë dhe kërkesave, disa biznese dhe shoqata të bizneseve ankohen se rregulloret po miratohen me pak diskutime thelbësore ose kontribut të palëve të interesit.

Në raport është përmendur se ndonëse nuk është anëtare e Organizatës Botërore të Tregtisë, Kosova përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) me BE-në, vazhdimisht është duke punuar në harmonizimin e ligjeve dhe rregulloreve të saj me standardet e Bashkimit Evropian.

Si nënshkruese e Planit Shumëvjeçar të Veprimit të Korrikut 2017 për një Zonë Ekonomike Rajonale të Gjashtë të Ballkanit Perëndimor, për Kosovën është thënë se është duke synuar të rrisë integrimin rajonal në fushat e tregtisë, politikës së investimeve, lëvizshmërisë së forcës së punës dhe dixhitalizimit.

Sa i përket çështjeve të konkurrencës është thënë se ndonëse Autoriteti i Konkurrencës është përgjegjës për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, zakonisht ky institucion nuk ka burime njerëzore për të kryer hetime të hollësishme.

Lidhur me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve nga lëmia e marrëveshjeve ndërkombëtare, raporti thekson se Kosova që nga viti 2009 është bërë palë në Konventën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID) dhe se e ka përfshirë Konventën në legjislacionin vendor, por që momentalisht nuk ekziston ndonjë legjislacion specifik që parashikon zbatimin e drejtpërdrejtë të Konventës.

Përkundër kësaj raporti udhëzon se në përputhje me Ligjin për Investimet e Huaja, investitorët mund të bien dakord me vendimet e arbitrazhit ose mekanizmave të tjerë alternativ të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve.

Edhe pse është thënë se Kosova nuk është nënshkruese e Konventës së Nju Jorkut mbi njohjen dhe zbatimin e ligjit të huaj për arbitrazhin, Gjykatat e Kosovës i njohin vendimet e arbitrazhit ndërkombëtar.

Përkundër se vendimet dhe aktgjykimet e arbitrazhit të huaj janë të zbatueshme në Kosovë, është theksuar se praktika ka treguar se deri më tani nuk ka pasur asnjë rast të pajtueshmërisë vullnetare të njohjes së këtyre vendimeve nga Qeveria e Kosovës ose etnitetet e të tjera publike dhe se në të gjitha rastet është zhvilluar proces gjyqësor për njohjen e këtyre vendimeve.