Nga një seancë e mëhershme e gjykimit të Rrahim Hashimit e Kadri Rexhepit. Foto: Kallxo.com

Dalladaku rrëfen si iu kërkuan 300 mijë euro në emër të Kadri Veselit

Gjykata e Prishtinës po gjykon Rrahim Hashimin dhe Kadri Rexhepin nën akuzat për mashtrim ndaj Faton Dalladakut duke u paraqitur si njerëz të afërm të Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit në përpjekje për ta ndërtuar një spital në Prishtinë.

Prokuroria e Ferizajt kishte ngritur aktakuzë në mars të vitit 2018 ndaj Hashimit dhe Rexhepit për mashtrim.

Aktakuza thotë se prej dhjetorit të 2011 e deri në korrik të 2012, të akuzuarit Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi, së bashku me Ekrem Likën, i cili është në arrati, kanë mashtruar tani të dëmtuarin Faton Dalladaku duke u prezantuar si të afërm të Kadri Veselit dhe Xhavit Halilit përmes Kadri Rexhepit

Gjithnjë sipas aktakuzës qëllimi i prezantimit të rremë i të akuzuarve si të afërm të Kadri Veselit dhe Xhavit Halilit ishte ndërmjetësimi për blerjen e Qendrës Kardiake nga tani i dëmtuari Faton Dalladaku duke e shtyrë atë që të veprojë në dëm të pasurisë së tij.

Aktakuza thotë se atij i është paraqitur një certifikatë e pakompletuar e biznesit në të cilën rezultonte se Rrahim Hashimi dhe Ekrem Lluka ishin pronarë të Qendrës për Kardiologji duke i paraqitur një kontratë në të cilën rezulton se Rrahim Hashimi ishte pronar i 20 % të aksioneve në këtë qendër ndërsa Ekrem Lluka, pronar 80 % të aksioneve.

Pasi tani i dëmtuari Faton Dalladaku ishte bindur se ata dy janë pronarë të Qendrës Kardiologe ka nënshkruar kontratën për blerjen e kësaj Qendre në shumë prej 290,810.00 euro.

Të premten, në gjykatë u dëgjua i dëmtuari Faton Dalladaku i cili tha se dy persona i kishin ardhur në zyrë për të folur rreth këtij rasti.

“Në zyrën time kanë ardhë dy persona të deleguar nga Rrahim Hashimi i cili ishte marrë vesh përmes Kadri Veselit të bëjnë huazimin deri ne 300,000.00 euro”, tha Dalladaku.

“Në atë kohë unë kisha para të mia dhe nuk kisha nevojë të huazoja 300 mijë realisht mirëpo me insistimin e Kadri Rexhepit, më bindi të huazojmë 350,000.00 euro nga këta dy persona Sami Nika dhe Rrustem Baftiu tani i ndjerë”, tha Dalladaku.

Dalladaku tha se nuk i njihte personat që i kishin ardhur në zyrë.

Foto: Kallxo.com

“Këta dy persona nuk i kam parë asnjëherë por ishin shokë të afërt dhe bashkëpunëtorë të Rrahim Hashimit. Ata ofronin vetëm një kusht për huazim: “duhet formalisht të bëjmë bartjen e pronës te noteri”, më thanë, sepse zyra ime në Pejton ishte në një pozicion jashtëzakonisht të mirë dhe shumë atraktive për biznes”, deklaroi Faton Dalladaku.

‘’Unë nuk pranoja të bëja kontratën për bartjen e pronës e më së paku të bëj tjetërsimin e pronës por  Sami Nika ishte gjatë tërë kohës në kontakt me pronarin e mjeteve i cili edhe me videoincizim e përmend emrin Curri. Kjo ka ndodhur në qershor të vitit 2012”, vazhdoi Faton Dalladaku.

“Curri për mua ishte i panjohur në atë kohë, andaj kërkova nga Sami Nika të bisedoj me personin e lartëmpermendur mirëpo ai nuk ma dha mundësinë të bisedoja në telefon me të”,  deklaroi Faton Dalladaku duke iu referuar Ismet Osmanit (Curri) i përmendur në këtë rast.

“Presioni ishte i jashtëzakonshëm nga Kadri Rexhepi dhe Ekrem Lika, gjithashtu edhe nga Rrahim Hashimi në telefon që të pranoja formalisht të nënshkruaj te noteri shitblerjen e zyrës dhe me atë të bëhej një transfer simbolik 100,000.00  euro e vlera e zyrës ishte mbi 1 milion e gjysmë, kurse të tjerat sipas marrëveshjes do të më jepeshin para të gatshme”, vazhdoi tutje Dalladaku

Ai tha se ka qenë i detyruar ta pranojë një huazim në formë fajdeje.

“U detyrova të pranoj huazimin e  300 mijë eurove me fajde 7 %, por në moment të fundit Kadri Rexhepi kërkoi nga huazuesi që ta ngritë shumën në 350,000.00 euro”, tha Dalladaku.

Seanca është caktuar që të vazhdojë më 11 dhjetor.

Vendimi i gjykatës: Rrahim Hashimi e Kadri Rexhepi mbesin në paraburgim