Gjykimi i inspektorëve - Foto: KALLXO.com

Dalin para gjyqit inspektorët e akuzuar se lejuan ndërtime pa leje në Prevallë

Mungesa e njërit të akuzuar ka bërë që të dështojë mbajtja e seancës gjyqësore ndaj 4 inspektorëve të Komunës së Prizrenit dhe një inspektori të Ministrisë së Mjedisit, të akuzuar se lejuan ndërtime pa leje në Prevallë.

Në Gjykatën e Prishtinës për sot ishte paraparë të mbahej shqyrtimi fillestar në rastin e inspektorëve të ndërtimit të Drejtorisë së Inspektoratit të Komunës së Prizrenit: Enver Bytyqi, Nexhmedin Musliu, Bashkim Krasniqi dhe Ruzhdi Daka, si dhe Bedri Halimit, kryeinspektor i Inspektoratit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit.

Aktakuzën ndaj tyre e ka ngritur Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Shadije Gërguri, njoftoi palët se lidhur me mungesën e të akuzuarit Bedri Halimi kishte pranuar një kërkesë me shkrim për shtyrje të seancës së sotme, me arsyetimin se ka një takim ndërkombëtar në Austri, si përfaqësues i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Enver Bytyqi, Nexhmedin Musliu, Bashkim Krasniqi dhe Ruzhdi Daka, si inspektorë të ndërtimit në Drejtorinë e Inspektoratit të Komunës, përgjegjës për inspektimin e punimeve ndërtimore në Parkun Nacional të lartcekur, në periudhën kohore nga 22.6.2006, kur Kuvendi Komunal në Prizren e ka miratuar Planin e Përkohshëm Rregullues Urban për atë zonë, deri më datë 3.5.2013, kur Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me vendim ka urdhëruar ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve ndërtimore në zonën e Prevallës, me dashje nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare konform Ligjit për ndërtimin.

Akti akuzues thotë se të pandehurit as nuk e kanë bërë mbikëqyrjen inspektuese të ndërtimeve, nuk kanë urdhëruar pezullimin e ndërtimit dhe nuk i kanë iniciuar procedurat e parapara me ligj.

Sipas aktakuzës, gjatë këtyre 7 viteve, ata kanë lejuar ndërtimin e disa qindra objekteve pa leje.

“Dhe në këtë mënyrë kanë shkaktuar degradimin e mjedisit në masë të madhe, kurse secilit pronarë të objektit të ndërtuar pa leje i’u kanë mundësuar përfitimin e dobisë pasurore në vlerë mesatare prej 10.500 euro”, thuhet në aktakuzë.

Me këtë, sipas Prokurorisë Speciale, secili, veç e veç, ka kryer veprën penale – keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar në vazhdimësi.

Ndërsa për Bedri Halimin, sipas aktit akuzues thuhet se duke punuar si kryeinspektor i Inspektoratit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, kompetent për inspektimin e punimeve ndërtimore në Parkun Nacional “Sharri” në Prevallë, me dashje nuk i ka kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me vendimin e ministrit të Ministrisë së Mjedisit të vitit 2013 me të cilin urdhërohet rrënimi i objekteve pa leje brenda planit rregullues në Parkun Nacional.

Sipas Prokurorisë Speciale, i pandehuri edhe pse e ka hartuar planin për zbatimin e urdhëresës në 4 faza dhe në fazën e parë ka rrënuar 180 objekte, në fazën e dytë nga 28 vendime për rrënim janë zbatuar vetëm 20, në fazën e tretë nga 45 vendime për rrënim, 16 janë revokuar, ndërsa 29 vendime kanë mbetur të pazbatuara, kurse fazën e katërt fare nuk është implementuar, ashtu që nga data 14.12.2013 e deri sot nuk ka zbatuar asnjë prej vendimeve edhe pse ende janë në fuqi.

Me këtë po akuzohet se ka kryer veprën penale -keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar.