Foto: Kallxo.com

Dalin para gjyqit gjilanasit e akuzuar se ia morën taksistit veturën, telefonin dhe kuletën

Avni Terstena dhe Festim Uruqi, të akuzuar për grabitje, kanë dalë para gjykatësit në Gjilan për t’u përballur me akuzën e Prokurorisë së Gjilanit.

Ata akuzohen se së bashku me një me një person deri më tani të pa njohur, në Gjilan në rrugën e “Malishevës”, kanë hipur në veturën e taksistit Avni Shefkiu dhe e kanë urdhëruar atë që t`i çojë në fshatin Strazhë.

Me të arritur atje, nën kërcënim, ia kanë marrë telefonin, kuletën dhe veturën duke e lënë në rrugë.

Në seancën e sotme e cila ishte fillestare, të akuzuarit nuk e pranuan fajësinë për veprën penale e cila atyre u vihet në barrë duke konsideruar se nuk e kanë kryer atë.

Seanca e sotme u shty për t’u dhënë mundësi të akuzuarve të bëjnë kërkesë për hedhjen e aktakuzës.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë për këtë çështje.

Dosja e Prokurorisë – Të dyshuarit e grabitën të dëmtuarin dhe e lanë në rrugë