ARKIV - Armët e konfiskuara nga Policia e Kosovës, Foto: KALLXO.com

Dalin para gjyqit 19 të akuzuarit për trafik me armë dhe armëmbajtje pa leje

Nga 20 të akuzuarit për trafikim me armë dhe armëmbajtje pa leje në Gjykatën e Prishtinës sot janë paraqitur 19 prej tyre.

Të akuzuarit e pranishëm janë deklaruar rreth fajësisë.

Me përjashtim të Bajrush Ademit, Ferit Ukajt, Skender Nuredinit dhe Sami Kelmendit, të cilët pranuar fajësinë për veprën penale – armëmbajtje pa leje, të akuzuarit e tjerë u deklaruan të pafajshëm.

Gjykata sot ka veçuar procedurën penale ndaj të akuzuarit Edon Bytyçi, për të cilin Policia kishte njoftuar se i njëjti ka 10 ditë që gjendet në Mal të Zi.

Foto: KALLXO.com

Gjithashtu gjykata veçoi procedurën edhe ndaj 4 të akuzuarve që pranuan fajësinë për armëmbajtje pa leje dhe vendosi që ndaj tyre të shpallë vendimin mbi dënimin më 20 janar.

Ndërsa për të akuzuarit që u deklaruan të pafajshëm do të vazhdojë procedura për shqyrtimin e kërkesave për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimit të provave.

Foto: KALLXO.com

Sipas Prokurorisë Speciale, Albert, Përparim, Arben, Petrit e Gazmend Fazliu, Milaim Shabani, Advan Sopa, Isa Rexhepi, Ragip Mehmeti, Nuhi Mazreku dhe Petrit Morina, akuzohen se nga fillimi i vitit 2008 e deri me 24 korrik 2019, në Ferizaj, Prishtinë dhe vende tjera të Kosovës, duke vepruar si grup i organizuar kanë marrë pjesë në importimin e armëve.

Prokuroria  pretendon se të akuzuarit i kishin rolet e ndara  dhe atë  rolin e furnizuesit e kishte i akuzuari Kimran Ibishev i cili nga Maqedonia e Veriut ka furnizuar  me armë me gaz të akuzuarit Albert Fazliu dhe Milaim Shabanin.

Tutje aktakuza thotë se armët me gaz nga i akuzuari Kimran Ibeshiv dorëzoheshin tek të akuzuarit  Albert Fazliu dhe Milaim Shabani përmes ndërmjetësuesit tani të akuzuarit Advan Sopa i cili armët nga Maqedonia e Veriut deri në Prishtinë i kishte bartur me veturën e tipit “Golf V”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pasi ishin pranuar armët me gaz nga Maqedonia e Veriut i akuzuari Albert Fazliu në bashkëpunim me të akuzuarit Përparim, Mentor, Petrit, Gazmend dhe Arben Fazliun në punëtorinë e tyre në Prishtinë kanë modifikuar armët më gaz në një lloj tjetër të armës.

Sipas aktakuzës armët e modifikuara nga të akuzuarit e lartcekur u janë shitur të akuzuarve Ragip Mehmeti, Nuhi Mazreku, Petrit Morina dhe Isa Rexhepi e të cilët pastaj armët e blera i kanë shitur personave të tjerë.

Me 31 maj 2018, Policia  në hyrje të Ferizajt kishte zbatuar urdhër-kontrollin me ç’rast me bastisjen e veturës “Golf V”  në pronësi  të të akuzuarit Advan Sopa janë gjetur dhe sekuestruar 10 pistoleta me gaz të llojit  “Ekol Special”.

Ndërsa më 27 korrik 2018  me bastisjen e shtëpive të të akuzuarve  Fazliu në lagjen “Kodra e Trimave” janë gjetur dhe sekuestruar armë, pjesë të armëve të modifikuara, vegla pune për modifikimin e armëve, mjete për shenjëzimin e numrave serikë të armëve.

Gjithnjë sipas aktakuzës në punëtorinë e shtëpisë së Arben dhe Gazmend Fazliut janë sekuestruar fishekë të kalibrave të ndryshëm, kutia me goditje për vënien e numrave në metal, pjesë metalike të armëve, brusha për pastrim të armëve.

Ndërsa në oborrin e të akuzuarit Albert Fazliut janë gjetur  të groposura nën dhe 25 pistoleta të armëve me gaz të llojit “Ekoc Jackal Dual” me kalibër 9 mm dhe ”Zoraki 906-B “.

Ndërsa të akuzuarit Bajrush Ademi, Ferat Ukaj, Skender Nuredini, Arben Hoxha, Kadri Pantina, Edon Bytyçi, Kreshnik Demaku, Besim Javori dhe Sami Kelmendi akuzohen për armëmbajtje pa leje.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me arrestimin dhe sekuestrimin e armëve të trafikuara.

‘Shënjestra’ shkatërroi rrjetin e trafikut të armëve që vinin nga Turqia – PAMJE

Aksioni i Policisë, arrestohen 18 persona të dyshuar për trafik të armëve

Hapat që duhet ndjekur për legalizimin e armëve pa leje

www.kallxo.com