Foto: Kallxo.com

Dalin para gjykatës të akuzuarit për përleshje brenda gjykatës

Në gjykatën e Ferizajt është mbajtur seanca gjyqësore ndaj 6 të akuzuarve për përleshje brenda sallës ku po mbahej gjykimi për vrasjen e Besart Hasanit.

Në seancën e sotme të udhëhequr nga gjyqtarja Hakile Ilazi, të akuzuarit Burim Hasani, Gramoz Hasani, Milaim Krraba, Leotrim Krraba, Argjend Ramadani dhe Arton Ramadani, pas leximit të aktakuzës nga prokurori i rastit Valdet Avdiu, nuk e pranuan fajësinë.

Fatlir Ramadani, Zejnije Bega, Hajrush Nuhiu, Beqir Haxhimusa, Arbnora Shefkiu, dhe Samir Rekaj, avokatët mbrojtës  të të akuzuarve, veç e veç kërkuan që klientëve të tyre t’u ndërpritet paraburgimi.

Për paraburgim, gjyqtarja Ilazi njoftoi se do të marrë aktvendim të veçantë dhe do të njoftohen palët.

Përleshja kishte ndodhur gjatë një seance gjyqësore për vrasjen e Besart Hasanit në të cilën ka qenë e planifikuar të lëshohet një videoincizim.

Të akuzuarit për rrahjen në seancë, Burim dhe Gramoz Hasani janë familjarët e të ndjerit Besart Hasani, ndërsa Argjend dhe Artan Ramadani janë të akuzuarit për pjesëmarrje në rrahje në rastin e vrasjes së Besart Hasanit.

Sipas Prokurorisë së Ferizajt, përleshja kishte nisur në momentin kur trupi gjykues, në seancën e 26 shjetorit, ishte tërhequr për të marrë vendim rreth përjashtimit të publikut nga salla.

Aktakuza thotë se i akuzuari Burim Hasani, i cili paraprakisht ishte larguar nga salla, me t’u kthyer brenda ishte nisur në drejtim të Fadil Ramadanit, babai i të akuzuarve Argjend e Arton Ramadani, të cilin e kishte goditur me grushte në fytyrë.

Prokuroria thotë se në atë moment në sallë ishte krijuar një rrëmujë në të cilën ishin përfshirë edhe të pandehurit e tjerë Gramoz Hasani si dhe Leotrim e Milaim Krraba, të cilët  grushte dhe mjete të forta e karrige, sipas aktakuzës, kanë filluar t’i godasin Fadil, Artan dhe Argjend Ramadanin, të cilët kanë pësuar lëndime të lehta trupore.

Me këtë veprim, sipas prokurorisë Burim dhe Gramoz Hasani si dhe Leotrim e Milaim Krraba, kanë kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor.

Aktakuza thotë gjithashtu se të pandehurit Artan dhe Argjend Ramadani, gjatë kësaj përleshjeje, e kishin goditur me një karrige në brinjë dhe këmbë të dëmtuarën Shyhrete Hasani, nëna e të ndjerit Besart Hasanit, ndërsa Argjend Ramadani akuzohet se e kishte gjuajtur dhe goditur me dru mbrapa kokës Blerina Hasanin. Ai akuzohet se e kishte goditur edhe Shefqet Hasanin. Të dy, për pasojë, kishin pësuar lëndime të lehta trupore,

Sipas prokurorisë Artan dhe Argjend Ramadani, me këto veprime, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor.

Rrahje brenda gjykatës në gjykimin për vrasjen e Besart Hasanit

Dosja e Prokurorisë: Si ndodhi përleshja me grushte e karrige në gjykatën e Ferizajt