Foto: Kallxo.com

Dalin në gjyq gjilanasit e akuzuar se tentuan ta grabisin çantën me para

Nën masa të rrepta të sigurisë para Gjykatës së Gjilanit kanë dalë Kastriot Shala dhe Leotrim Latifi për t’u përballur me akuzën e Prokurorisë së Gjilanit e cila ua ngarkon veprën penale të grabitjes në tentativë.

Ata akuzohen nga Prokuroria e Gjilanit se kanë kryer edhe veprën penale të armë mbajtjes pa leje.

Sipas aktakuzës, Leotrim Latifi dhe Kastriot Shala gjatë muajit maj të vitit 2018 në Gjilan kanë tentuar të përvetësojnë pasurinë e huaj pasi të armatosur i kishin zënë rrugën të dëmtuarit Arben Halimi dhe kishin tentuar t’ia marrin çantën me para.

Tutje sipas Prokurorisë, i akuzuari Kastriot Shala kishte gjuajtur me armë në afërsi të të dëmtuarit dhe e kishte goditur me kondak të revoles duke i shkaktuar lëndime trupore.

Ata akuzohen edhe për faktin se pa leje dhe në kundërshtim me ligjin kanë bartur armë zjarri, revole të llojit 7.62 mm.

Pas leximit të aktakuzës nga Prokurori Agron Uka, të akuzuarit deklaruan se nuk e pranojnë fajësinë pasi që konsideruan se nuk e kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen.

“Nuk e pranoj fajësinë pasi që nuk kam të bëjë fare me këtë rast dhe as nuk e di se për çka është fjala”, tha shkurt i akuzuari Kastriot Shala.

Edhe i akuzuari Leotrim Latifi tha se e kundërshton aktakuzën e prokurorisë dhe se në asnjë mënyrë nuk e pranon fajësinë.

Seanca u ndërpre për t’u lënë mundësi të akuzuarve të bëjnë kundërshtimin e aktakuzës.