‘Coronavirusi’ shtynë seancën ndaj koordinatorit të panelit për lirimin me kusht

Seanca gjyqësore ndaj Bedri Duraku, e paraparë të mbahej më 23 mars 2020, është anuluar për shkak të coronavirusit Covid-19, ndonëse i njëjti do të kundërshtonte provat e aktakuzës dhe do të paraqiste kërkesë për hedhjen e saj. I njëjti ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat që i vihen në barrë.

Një anulim i tillë kishte ardhur si rezultat i nxjerrjes së vendimit të KGJK-së të datës 15 mars 2020, pas konfirmimit të rasteve pozitive me coronavirusin Covid-19, në të cilin vendim janë reduktuar esencialisht aktivitetet e Këshillit Gjyqësor dhe të gjitha Gjykatave të Kosovës e duke realizuar vetëm veprimtaritë e natyrës urgjente.

Duraku akuzohet se në cilësinë e Koordinatorit për Lirimin e Kusht në Këshillin Gjyqësor të Kosovës ka falsifikuar dokumentin me të cilin gjykatëses Emine Kaçiku i është ndërprerë mandati për kryesimin e Panelit për Lirim me Kusht.

Aktakuza thotë se Bedri Duraku në muajin korrik të vitit 2016, si koordinator i Panelit për lirim me kusht në Këshillin Gjyqësor të Kosovës ka përpiluar shkresën zyrtare me përmbajtje të rreme.

Sipas Prokurorisë, Duraku në cilësinë e personit zyrtar pa autorizim ka përpiluar aktin për vazhdimin e mandatit të Panelit për Lirimin me Kusht, i cili ishte në tri faqe duke e ndryshuar përmbajtjen e tij ashtu që faqen e parë e ka lënë të njëjtë, faqja e dytë ka munguar dhe faqen e tretë e ka modifikuar. Me ndryshimin e këtij akti është hequr baza ligjore për vazhdimin e mandatit ndaj të anëtarëve të PLK-së”, thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës Duraku aktin e falsifikuar e ka protokolluar me numrin e aktit origjinal i cili kishte tri faqe dhe të njëjtin pas nënshkrimit e ka prezantuar në mbledhjen e KGJK-së, ndërsa me datën 21 korrik 2016, gjyqtares Emine Kaçiku i ishte ndërprerë mandati si kryesuese e PLK.

Duraku është deklaruar i pafajshëm në seancën e datës 20 shkurt 2020, pasi u ballafaqua me akuzën e Prokurorisë për falsifikim të dokumentit.

Dosja e Prokurorisë – Zyrtari KGjK-së flasifikoi dokumentin zyrtar

.