'Coronavirusi’, shtynë rigjykimin ndaj rojës së pyllit

Gjykata e Prishtinës ka anuluar seancën ndaj një roje pylli të cilin Prokuroria po e akuzon për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Një anulim i tillë kishte ardhur si rezultat i nxjerrjes së vendimit të KGJK-së të datës 15 mars 2020, pas konfirmimit të rasteve pozitive me coronavirusin Covid-19, në të cilin vendim janë reduktuar esencialisht aktivitetet e Këshillit Gjyqësor dhe të gjitha Gjykatave të Kosovës e duke realizuar vetëm veprimtaritë e natyrës urgjente.

Rojës së pyllit, Xhavit Avdiut, Prokuroria po i vë në barrë akuzat se nuk përmbushi detyrën zyrtare me qëllim që të përfitojë dobi për vetën ose personin tjetër.

Këtë rast të kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit kishte për ta mbajtur gjyqtarja Nushe Kukaj- Mekaj.

Sipas Prokurorisë në maj të vitit 2018 pjesëtaret e policisë kishin hasur në dy kamionë të cilët ishin duke transportuar dru në mënyrë ilegale, me vozitësit Ramadan dhe Nebih Bislimi.

Aktakuza thotë se Xhavit Avdiu ishte duke i përcjellë me veturën e tij kamionët, ndërsa Policia ka ndalur kamionin që po e drejtonte Nebih Bislimi dhe kërkuar dokumentet e tij.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Xhavit Ademi në atë moment ka dalë nga vetura dhe i është afruar zyrtarëve policorë duke u thënë që t’i lirojnë vozitësit e kamionëve pavarësisht se ata nuk posedonin dokumente për transportimin e druve.

Gjykimi i rojës së pyllit që akuzohet se ‘ruante’ kamionët me dru të prerë