Arkiv - Vendi ku u vra Oliver Ivanoviq | Foto: KALLXO.com

Coronavirusi shtyn seancën për vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Në gjykatën e Prishtinës ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj 6 të pandehurve për rastin e vrasjes së politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, nën akuzat të cilat ua vë në barrë Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Këtë lajm e ka konfirmuar mbrojtësi i të akuzuarit Marko Roshiq, avokati Mahmut Halimi.

“Sot ka qenë e paraparë të mbahet seanca por është shtyrë për shkak të coronavirusit. Gjykata na ka njoftu se do të shtyhen gjitha gjykimet në përjashtim të rasteve urgjente”, tha avokati Mahmut Halimi për KALLXO.com.

Marko Roshiq, Nedelko Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Radeta Basara po akuzohen se duke vepruar si grup i organizuar kriminal nën udhëheqje të Zvonko Veselinoviqit dhe Milan Radojiçiqit, me veprimet e tyre inkriminuese kanë gisht në vrasjen e Oliver Ivanoviq, i cili u vra më 16 janar 2018 në veri të Mitrovicës.