Arkiv- Mbledhja e përbashkët e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës - Foto: KALLXO.com

Çka parasheh koncept dokumenti për Vetting dhe si pritet të implementohet procesi?

Procesi i Vettingut në Kosovë do të përfshijë të gjithë gjyqtarët me përjashtim të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Procesi i Vettingut synon që brenda pesë viteve të zhvillohet në tri faza. Faza e parë do të përfshijë të gjithë anëtarët e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, pesë anëtarë të Gjykatës Supreme dhe kryeprokurorin e shtetit.

Paralelisht me Vettingun e anëtarëve të këshillave, do të zhvillohet edhe procedura e Vettingut të kandidatëve për anëtarët e ardhshëm të këshillave, duke respektuar mënyrën e përzgjedhjes që parashihet me Kushtetutë, thuhet në koncept dokumentin e Vettingut.

Pas përfundimit të fazës së parë, mekanizmi përkatës do të paraqesë në KGJK dhe KPK rezultatet e Vettingut për një apo dy kandidat përnjëherë.

Rezultatet do të paraqiten në formë të vlerësimit për ndarjen e gjyqtarëve si të përshtatshëm apo në gjyqtarë për shkarkim.

“Rezultatet paraqiten në formë të vlerësimeve për shkarkim, apo për të konstatuar ‘përshtatshmërinë’ e subjektit të Vettingut”, thuhet në koncept dokumentin e Vettingut.

Në fazën e dytë procesit do t’i nënshtrohet Gjykata Supreme në tërësi dhe prokurorët në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Pas kësaj subjekt i Vettingut do të jenë gjyqtarët e Gjykatës së Apelit, prokurorët e Prokurorisë së Apelit dhe prokurorët e Prokurorisë Speciale.

Po ashtu në fazën e dytë procesit do t’i nënshtrohen edhe zyrtarët në pozita të larta drejtuese brenda sistemit si administratorët e gjykatave dhe prokurorive, drejtorët e sekretariateve si dhe drejtori i Njësisë për Inspektim Gjyqësor në KGJK.

Sipas koncept dokumentit për Vetting, gjatë fazës së dytë do të zhvillohet procesi i rekrutimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj si parapërgatitje për fazën e tretë.

Ndërsa në fazën e tretë Vettingut do t’i nënshtrohen gjyqtarët mbikëqyrës të degëve pastaj gjyqtarët dhe prokurorët e gjykatave dhe prokurorive themelore.

Koncept dokumenti për Vettingun ka paraparë që pozitat e lira pas shkarkimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk kanë kaluar Vttingun do të hapet konkurs për emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj.

Të gjithë personat që i nënshtrohen Vettingut do të lajmërohen se lënda e tij është duke u trajtuar.

Për të gjeturat nga komisioni personi që i nënshtrohet Vettingut, ka të drejtë të paraqesë kundërshtimin e provave dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve që dëshmojnë kundër tij ose saj.

Në rast se komisioni i cili e ushtron Vettingun, merr vendim që Këshillit Gjyqësor ose Këshillit Prokurorial t’i propozojë shkarkimin e gjyqtarit ose prokurorit, këshillat kanë afat 15 ditë të shqyrtojnë propozimin e mekanizimit të Vettingut dhe të marrin vendim për propozimin e shkarkimit të tyre.

Në rast se Këshilli propozon shkarkimin e personit që i është nënshtruar Vettingut, presidenti duhet që brenda 15 dite të nxjerrë dekret për shkarkimin e tij.

Gjyqtari ose prokurori ka të drejtë që ndaj vendimit për shkarkim të paraqesë ankesë brenda 15 dite në Gjykatën Supreme, e cila lidhur me këtë ankesë duhet të vendosë brenda 30 ditësh.

Koncept dokumenti i Vettingut parasheh se nga momenti i propozimit për shkarkim e deri te shkarkimi përfundimtar i gjyqtarit ose prokurorit, koha e mbylljes se prosedurës duhet të përfundoj brenda 75 ditësh në total.