Seanca për caktimin e paraburgimit - FOTO: Valeri Qatani - KALLXO.com - 09./07.2024

Çka deklaruan para gjyqtarit të dyshuarit në rastin e vdekjes së 26 vjeçarit në Prizren

Enes Ay dhe Hajrullah Brnçanin, dy të dyshuarit për rastin e vdekjes së 26 vjeçarit në Prizren janë sjellë në Gjykatën e Prizrenit pasi Prokuroria ka bërë kërkesë për caktimin e masë së sigurisë ndaj tyre.

Seanca për caktimin e paraburgimit – FOTO: Valeri Qatani – KALLXO.com – 09./07.2024

Seanca e dëgjimit para gjyqtares së procedurës paraprake, Ajser Skenderi filloi me leximin e kërkesës së Prokurorisë të cilën e lexoi Prokurori i Shtetit, Genc Nixha.

Prokurori Nixha theksoi se qëndron në tërësi prapa kërkesës së datës 08.07.2024 për caktimin e paraburgimit dhe arsyeve ligjore të cekura si në kërkesën e parashtruar me shkrim.

“Për shkak të dyshimit të bazuar se i pandehuri: Enes AY më datë 06.07.2024, rreth orës 23:50, në Prizren, me anë të mjetit të rrezikshëm, i shkakton lëndim trupor personit tjetër dhe për pasojë shkakton vdekjen e tij, e që paraprakisht takohen me viktimën A. Th. ne lagjen “Kurillë”, saktësisht në rrugën ‘Dragomani’”.

“Viktima ia kërkon telefonin të pandehurit me qëllim që ta njoftojë shokun e tij – të pandehurin Hajrullah Brnçanin dhe pasi që ky i fundit vjen me veturën e tij në lokacionin në fjalë… i pandehuri ulet në ulësen e pasme të automjetit, derisa viktima në ulësen e përparme dhe pas një konfrontimi verbal me njëri – tjetrin, dalin nga vetura, me ç’rast i pandehuri me përdorimin e një mjeti të mprehtë, e godet viktimën në pjesën e përparme të këmbës dhe largohet nga vendi i ngjarjes”, thuhet tutje në dosjen e Prokurorisë.

Mbrojtësi i të pandehurit Enes Ay, avokati Alija Ajro deklaroi se: “Kemi pranuar kërkesën për caktimin e paraburgimit, të cilën kërkesë në tërësi e kundërshtojmë pasi nuk është e argumentuar qartë, dhe nuk mbështetet në prova konkrete”.

“Prokuroria nuk ka vlerësuar as lëndimet e pësuara nga i mbrojturi im i cili fillimisht ka qenë i sulmuar nga viktima e të cilat lëndime vërtetohen edhe nga raporti mjekësor të cilin e posedon Prokuroria’’- u shpreh avokati Ajro.

Në këtë seancë edhe mbrojtësja e të pandehurit Hajrullah Brnçanin, avokatja Amina Mustafi e kundërshtoi kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit si të pabazuar.

“I mbrojturi im (Hajrullah Brnçanin) pranë stacionit policor në Lubizhdë ka dhënë deklaratën se ai ishte i vetmi person i cili në momentin kritik ka ofruar ndihmën e parë viktimës, dhe i njëjti ishte i vetmi person i cili në momentin kritik ka provuar të kontaktojë me familjen e viktimës, dhe i njëjti nuk është fare inkriminuar për veprën penale që i vihet në barrë nga ana e Prokurorisë’’– deklaroi avokatja Mustafi.

Të dy të pandehurit nuk janë deklaruar asgjë rreth rastit, përveç se deklaruan se i bashkangjiten fjalës së mbrojtësve të tyre.

Sipas dosjes së Prokurorisë, me veprimet e tij i pandehuri Enes Ay dyshohet qe ka kryer veprën penale ‘’Lëndim i rendë trupor’’.

Në kërkesën e Prokurorisë për të pandehurin Hajrullah Brnçanin bëhet e ditur se më datë 06.07.2024, rreth orës 23:55, ne Rr. “Nijazi Alishani” në Prizren, nuk i ofron ndihmë personit jeta e të cilit ndodhej në rrezik të drejtpërdrejtë, edhe pse këtë ka mundur ta bëjë pa rrezik të madh për vetën.

Sipas Prokurorisë i dyshuari Brnçanin pasi ishte duke e bartur viktimën A. Th. në veturën e tij, duke e ditur se ky i fundit ishte plagosur rëndë nga i pandehuri Enes Ay, nuk e dërgon të njëjtin pranë ndonjë institucioni të kujdesit shëndetësor, por e nxjerrë nga vetura dhe e lë në rrugë – në afërsi të rrethrrotullimit në lagjen ‘Bazhderhane’ në Prizren.

Me këto veprime sipas Prokurorisë pretendohet se i pandehuri Brnçanin ka kryer verën penale ‘Mosdhënie e ndihmës’.

Tutje në dosje thuhet se i pandehuri Brnçanin më datë, kohë dhe vend të përshkruar si më lartë, duke qenë në dijeni për identitetin e kryesit të veprës penale të lëndimit të rëndë trupor nuk e njofton organin kompetent për një fakt të tillë, në atë mënyrë që pasi ka qenë në dijeni si dëshmitar okular në kryerjen e veprës penale, megjithatë nuk kishte njoftuar policinë apo organin tjetër kompetent lidhur kryerjen e veprës penale dhe identitetin e kryesit të veprës penale.

Në Kërkesën e Prokurorisë dorëzuar Gjykatës thuhet se me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale ‘Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre’.

Sipas Prokurorisë, arsyet për caktimin e paraburgimit konsistojnë në faktin se në rastin konkret ka arsye për të besuar se po që se të pandehurit lejohen të mbrohen në liri, ata mund të fshihen marrë në konsideratë faktin se i pandehuri Enes Ay është shtetas i huaj, nuk i dihet vendqëndrimi i përkohshëm brenda territorit të Republikës së Kosovës, ndërkaq sa i përket të pandehurit Hajrullah Brnçanin, ndonëse të njëjtit i dihet adresa, megjithatë ekziston rreziku se i njëjti mund të fshihet.

Lidhur me rastin në fjalë, KALLXO.com kishte raportuar edhe konfirmimin nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Shaqir Bytyqi se me datë 07.07.2024  rreth orës 21:00 nga Reparti Intensiv i QKUK-s policia është njoftuar se  viktima A. Th., mashkull, 26 vjeçar  ka ndërruar jetë.

Lidhur me vendimin për kërkesën e Prokurorisë, Gjykata do të vendos të martën më 09.07.2024.

Raportimet nga KALLXO.com lidhur me këtë rast i gjeni në këtë LINK.