Arkiv

Çfarë kishte deklaruar para Gjykatës polici i dënuar me burgim të përjetshëm

“Unë e di që asgjë nuk më shfajëson nga fajësia për rastin konkret, por është mirë që ju me i dëgju përjetimet dhe gjendjen shëndetësore dhe mendore timen”.

Kështu kishte filluar rrëfimin e tij Shefki Spahiu, ndaj të cilit sot Gjykata e Prizrenit ka shqiptuar dënim me burgim të përjetshëm.

Ish rreshteri i Policisë, Shefki Spahiu u dënua me burgim të përjetshëm për dy vepra penale, vrasje e rëndë në mënyrë dinake dhe manipulim me prova.

Më datë 17 mars të vitit 2019 kishte ndodhur vrasje e rëndë e të njderit Jetmir Aliaj, i cili ishte në vendin e tij të punës.

Shefki Spahiu u akuzua se me armën e tij zyrtare nga një afërsi prej 1 metër, kishte qëlluar në kokë të ndjerin, i cili ishte i ulur dhe po shikonte telefonin e tij, ndërsa më herët e kishte shërbyer me ujë dhe kafe, andaj prokurori Mehdi Sefa e ka cilësuar si vrasje e rëndë e kryer në mënyrë dinake.

I akuzuari nuk ishte deklaruar gjatë fazës së hetimeve në Prokurori.

Në seancën e datës 30 korrik të këtij viti i akuzuari Shefki Spahiu për herë të parë ishte rrëfyer para trupit gjykues për rastin e ndodhur.

Në mbrojtjen e tij të dhënë para Gjykatës, Shefki Spahiu për rreth 5 orë të plota është përgjigjur në pyetje e mbrojtësit të tij, avokatit Emrush Kastrati dhe në pyetjet e prokurorit Mehdi Sefa.

I njëjti fillimisht kishte treguar se që nga viti 2000 është pjesë e Policisë së Kosovës, ndërsa që nga vitit 2005 me gradë është rreshter.

“Në vitin 2014 kam qenë në proces për të marrë gradën Toger, por gjatë asaj kohe dikujt i ka penguar puna ime, dhe filluan me propaganda kinse unë merrem me kontrabandim e fajde”, kishte treguar për të kaluarën e tij rreshteri i Policisë, tashmë i dënuar me burgim të përjetshëm nga gjykata e shkallës së parë.

I njëjti gjithashtu kishte thënë që edhe më herët është përballur me aktakuzë për veprën penale të dhunimit të një të miture, por ishte shpallur i pafajshëm.

“Dhe që nga ajo ditë jeta ime ka ndryshuar për 360 shkallë”,  kishte treguar i akuzuari.

Ndërsa sipas tij që nga ajo kohë kishte filluar të përdorte shumë alkoolin.

“Dhe kalova nga lojërat e fatit”.

Për ditën kritike i akuzuari Shefki Spahiu, kishte thënë se që nga ora 12:00 e ditës kishte filluar të konsumonte alkool, dhe kjo ka zgjatur deri në orën 03:00 të mëngjesit kur edhe kishte shkuar herën e parë në kazinonë ku ka ndodhur ngjarja kritike.

I akuzuari Spahiu ka thënë se më pas ishte larguar nga kazino, për t`u rikthyer rreth orës 07:30 për të kërkuar një telefon të humbur.

Për të ndjerin Jetmir Aliaj, i akuzuari Shefki Spahiu ka treguar se rreth një muaj para ngjarjes kritike i ndjeri ishte ankuar te menaxheri i kazinos, se këtu i akuzuari kishte derdhur ujë në një aparat të kazinos.

Lidhur me këtë ngjarje, i akuzuari Shefi Spahiu tha se kishte filluar të diskutonte me të ndjerin Jetmir Aliaj.

“Ai (Jetmiri) ka qenë i frustruar për atë punë që ka ndodh ma herët, dhe ka filluar me më sha”, kishte thënë i akuzuari Shefi Spahiu.

I njëjti ka deklaruar se i ndjeri Jetmir Aliaj e kishte shërbyer me kafe, por sipas tij pas fjalosjes me të ndjerin “Kam humbur kontrollin dhe vetëdijen, isha i nervozuar dhe ndodhi vrasja, ajo që e pamë në video”, ka vazhduar i akuzuari.

I akuzuari Spahiu gjithashtu kishte thënë se pendohet për veprën e kryer. “Ka qenë një situatë e papritur, dhe nuk e kam pritur atë reagim të tij dhe më humbi truri“.

I akuzuari Spahiu në përgjigjet e tij, ka treguar se vrasja ka ndodhur me armën zyrtare dhe tjetër armë nuk ka, gjithashtu rrëfeu se këtu i ndjeri i kishte shërbyer kafe pak para momentin kritik.

Ndaj këtij deklarimi të të akuzuarit kishte pasur vërejtje prokurori Mehdi Sefa, i cili kishte paraiqutr  kundërshtimet e tij në pretendimet e të akuzuarit se ka pasur një fjalosje me të ndjerin. “Kjo pasi që e pamë në video, shihet që nuk ka pasur asnjë zënkë dhe fjalosje, mirëpo i ndjeri në mënyrë të sinqertë e ka shërbyer me kafe dhe ujë, ndërsa këtu i akuzuari në mënyrë dinake ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë”, kishte thënë prokurori Sefa.

I akuzuari nëpërmjet mbrojtësit të tij kishin paraqitur 2 herë kërkesë për ekzaminim psikiatrik të të akuzuarit, mirëpo në të dy rastet ishin refuzuar këto kërkesa, ndërsa janë refuzuar edhe disa kërkesa për përjashtim të kryetares së trupit gjykues Ajser Skenderi, dhe për përjashtim të Gjykatës së Prizrenit nga kjo çështje, kështu kishin kaluar disa muaj deri kur kishte filluar gjykimi.

I akuzuari Shefki Spahiu  kohë më parë është rrahur nga tre persona brenda Qendrës së Paraburgimit të Pejës.

KALLXO.com ka raportuar që nga fillimi i kësaj ngjarje nga të gjitha seancat gjyqësore.

Të gjitha shkrimet mund ti gjeni në këtë LINK