Foto: KALLXO.com

Çfarë kishte deklaruar Nagip Krasniqi në Prokurori?

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë më 19.08.2024 ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Krasniqi po dyshohet se kishte filluar ta keqpërdorë detyrën zyrtare që nga 15.10.2021 deri më 19.04.2023, ditë kjo që përkon edhe me arrestimin e tij.

Mirëpo çfarë kishte deklaruar Nagip Krasniqi në prokurori, sipas aktakuzës të siguruar nga KALLXO.com, i pandehuri Nagip Krasniqi, në mbrojtjen e tij të dhënë në Prokurori më datë 05.07.2024, në prani të mbrojtësit të tij ka deklaruar se nga 15 tetori i vitit 2021 e deri më 19 prill 2023 kishte qenë Kryeshef Ekzekutiv në KEK.

Tashmë i akuzuari, Nagip Krasniqi, gjatë deklarimit në prokurori kishte deklaruar se KEK-u kishte tregtuar me të gjitha kompanitë që kishin qenë të licencuara në Kosovë dhe në shtetet që kishin qenë anëtarë të Komunitetit të energjisë të cilat sipas Ligjit për Energji Elektrike nuk kishin nevojë për ri-licencim në Kosovë, duke shtuar se edhe “HSE” dhe kompanitë tjera tregtare ishin anëtare të Federatës Evropiane të tregtimit të energjisë elektrike.

“KEK-u që nga viti 2018 kishte kontratë të veçantë për tregtim të energjisë elektrike me “HSE” dhe tregtarët tjerë dhe se “HSE”-ja kishe bërë aderimin e rregullt të tregut në Kosovës tek KOSST” – kishte thënë i akuzuar Nagip Krasniqi në Prokurori.

Sa i përket konfirmimit të blerjeve apo shitjeve të energjisë para nënshkrimit të kontratave individuale EFET, i pandehuri Krasniqi kishte deklaruar se në disa raste e kishte bërë vetë e në disa raste drejtori i operimeve Luigj Imeri dhe se departamenti për tregtim nuk i përgjigjej direkt atij por drejtorisë operative.

“…Tregtimi i energjisë ishte bërë jashtë territorit të Kosovës dhe për atë tregtim ZRRE-ja nuk kishte kompetencë, 2.Duke u bazuar në ligjin për energjinë elektrike neni 32 dhe 3, përjashtimi i një operatori ndikonte në rritjen e çmimeve në blerje dhe çmimeve më të ulëta në shitje, që do të dëmtonin interesin e kompanisë dhe do të ngarkonte më shumë fondin e subvencioneve nga Qeveria” – kishte thënë i pandehuri Krasniqi në prokurori lidhur me vërejtjet e ZRRE-së.

Tutje sipas aktakuzës lidhur me opinionin e zyrës ligjore për vërejtjet e ZRRE-së për ndërprerje të tregtimit me operatorë të pa licencuar dhe pse nuk kishte marrë për bazë opinionin e tyre, i pandehuri kishte thënë se arsyet kryesore ishin sepse ligji për energjinë elektrike e lejonte dhe e dyta në biseda me sekretariatin e energjisë në Vjenë, interpretimi i tyre verbal kishte qenë që Ligji për Energjinë Elektrike e lejonte diçka të tillë dhe se kompanitë nuk duhet që të pengoheshin në tregtimin e lirshëm të energjisë elektrike.

Ndërsa, sa i përket rekomandimit të  ZRRE-së për ndërprerje të tregtimit me HSE-në, Krasniqi kishte deklaruar se rekomandimi nuk ishte obligim dhe se atë rekomandim e kishte konsideruar të kundërligjshëm dhe po të respektohej i njëjti dëmi do të ishte i pariparueshëm, duke shtuar se “HSE” nuk duhej trajtuar si kompani e pa licencuar pasi ishte kompani shtetërore në Slloveni dhe Sllovenia është anëtare e Komunitetit të Energjisë dhe se me atë kompani nuk kishte asnjë lidhje.

Lidhur me opinionin e zyrës ligjore të datës 07.10.2022 ka thënë se ishte i paqartë dhe ambicioz dhe lidhur me subvencionet e marra nga qeveria ka deklaruar se ato ishin përdorur për mbulimin e furnizimit të shërbimit universal për shkak të pamundësisë së KESCO-s që të bënte ato blerje për shkak të problemeve financiare që i kishte.

Krasniqi po dyshohet se kishte filluar ta keqpërdorë detyrën zyrtare që nga 15.10.2021 deri më 19.04.2023, ditë kjo që përkon edhe me arrestimin e tij.

Sipas një dispozitivi të aktakuzës të siguruar nga KALLXO.com, Krasniqi i kishte mundësuar tregtimin e energjisë një kompanie sllovene në Kosovë, e cila nuk kishte licencë, duke dëmtuar kështu KEK-un në vlerë rreth 3 milionë e 230 mijë euro.

“…ashtu që me dashje aprovon blerjet, nënshkruan kontrata dhe autorizon nënshkrimin e tyre si dhe konfirmon vazhdimin e tregtimit me operatorin në fjalë, ani pse ishte në dijeni se nuk mund të tregtohej energji elektrike me këtë operator derisa ai nuk licencohej apo nuk i njihej licenca nga Zyra e Rregullatorit për Energji” – thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, këto veprime i mundësonin kompanisë nga Sllovenia “Holding Slovenske Elektrane” – HSE tregtimin e energjisë elektrike në Republikën e Kosovës,

Mes tjerash, në këtë dispozitiv theksohet se të njëjtit i mundësohet përfitimi pasuror si dhe shmangia nga pagesat tatimore duke dëmtuar buxhetin e shtetit të Kosovës në vlerë prej 531,920.79 euro.

“…dhe për pasojë dëmtimin në shkallë të madhe të buxhetit të Republikës së Kosovës apo në vlerë prej 531,920.79 Euro, dëmtimin apo diskriminimin e operatorëve tjerë ekonomik konkurrent që operonin në tregun e Kosovës e që ishin të licencuar dhe i nënshtroheshin obligimeve tatimore si shkaktimin e dëmit material Korporatës Energjetike të Kosovës në shkallë të madhe apo në vlerë prej 3,229,905.00 Euro” – vijon tutje.

Nagip Krasniqi ishte arrestuar më 19.04.2023 nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ushtrim të ndikimit dhe konflikt të interesit.

Krasniqi kishte qëndruar nën masën e paraburgimit që nga 20.04.2023, por ishte liruar pesë muaj më pas, me 15.09.2023.

Arrestimi i Krasniqit ishte bërë me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Dosja e Prokurorisë ndaj Nagip Krasniqit – Pretendimet se si u dëmtua KEK-u rreth 3 milionë euro