Arkiv - Kryetari i komunës së Istogut, Haki Rugova, në gjyq. Foto: Kallxo.com

Caktohet seanca ndaj kryetarit të Istogut, Haki Rugova

Gjykata e Pejës ka caktuar seancën e radhës ndaj kryetarit të Komunës se Istogut, Haki Rugovës, i cili akuzohet për vepër penale “Konflikt Interesi”.

Seanca është caktuar të mbahet me date 23.10.2019.

Akuza për “Konflikt Interesi”, ndaj të parit të Istogut Haki Rugova erdhi pasi Agjencia Kundër Korrupsionit kishte paraqitur kallëzim penal ndaj tij, kjo pas raportimit të marrë nga BIRN dhe Internews Kosova.

“Agjencia Kundër Korrupsionit më 11 gusht 2017, ka pranuar informacionin nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese ‘BIRN’ dhe ‘Internews Kosova’ ndaj Haki Rugova për shkak të mundësisë së veprës penale: Konflikt i interesit”, thuhet në arsyetimin e kallëzimit penal të Agjencisë.

Komuna e familjes Rugova

Ai dyshohet se më 1 gusht 2014 në cilësinë e kryetarit të Komunës së Istogut me dashje ka marrë pjesë personalisht në nënshkrimin e kontratës ‘Ndërtimi i Kanalizimit Fekal në Fshatin Cerrcë-Lubozhdë- Faza e Parë”.

Tenderin për ndërtimin e këtij kanalizimi e fitoi “’MA-CON’ sh.p.k, në pronësi të Gani Rugovës (Vëllai i Haki Rugovës), në vlerë prej 289,119.85 euro, kështu duke mundësuar interes financiar për të (Haki Rugovën) dhe personin juridik që ka të bëjë me të”.