Caktohet data për fillimin e gjykimit për rastin e Banjskës
Më 25.09.2024 do të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar lidhur me rastin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit në veri të Kosovës më 24.09.2023 nga një grup i armatosur serbësh në krye me Millan Radoiçiq.
Në këtë rast të akuzuar janë 45 persona, por vetëm Dushan Maksimoviq, Vladimir Toliq dhe Blagoje Spasojeviq gjenden në masën e paraburgimit.
Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.
“Ju njoftojmë se seanca fillestare në këtë çështje penale është caktuar të mbahet me datë 25 shtator 2024”- thuhet në përgjigjen e Gjykatës së Prishtinës.
Nga sulmi në Banjskë u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.
Autoritetet e Kosovës patën publikuar pamje me dron ku shiheshin pjestarët e grupit serb.
Çka thotë aktakuza e Prokurorisë?
Ndaj 45 personave – në krye të të cilëve qëndron ish nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq – është ngritur aktakuzë më 11.09.2024 nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Sipas aktakuzës mbi 45 të akuzuarit rëndojnë veprat penale për terrorizëm, financim terrorizmi dhe shpëlarje e parasë.
Kjo pasi të njëjtit akuzohen se më 24.09.2023 kanë kryer sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit duke lënë të vrarë zyrtarin policor, Afrim Bunjaku.
Dosja e Prokurorisë që ka siguruar KALLXO.com tregon me iniciale se cilët janë 45 të akuzuarit, e se cili ishte qëllimi i tyre.
“Duke vepruar sipas përgatitjeve dhe planit të mirë organizuar paraprakisht, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojnë Serbisë” – thuhet në këtë dosje.
Prokuroria ka thënë se si rezultat i dhunës së përdorur ka vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku dhe është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policor dhe popullatës civile.
Në grupin kriminal të strukturuar të udhëhequr nga Radoiçiq, Prokuroria renditi edhe inicialet e B. S., V. T., D. M., V. R., U. J., M. J., V. A., A. M., L. S., V. D., V. V., S. J., M. K., U. M., T. V., D. V., V. J., S. P., N. S., M. V., S. R., M. R., M. A., ZH. C., K. D., S. M., M. S., A. .J, R. G., I. M., G. Z., N. R., R. A., M. M., GJ. B., D. GJ., D. .V, A. T., M. K., M. N., N. I., V. I..
Po ashtu, i akuzuar si person juridik është edhe “R” teksa i akuzuar i fundit si person përgjegjës është R. S.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj ka njoftuar më 11.09.2024 se kanë ngritur aktakuzë për 45 persona për rastin e sulmit në Banjskë të Zveçanit.
Naim Abazi, prokurori i Speciales që udhëhoqi hetimet e sulmit terrorist të 24 shtatorit të 2023-ës tregoi në detaje se si u hetua i gjithë ky rast.
Abazi në një konferencë për media tha se ndaj 45 të akuzuarve rëndojnë veprat penale për terrorizëm, financim terrorizmi dhe shpëlarje e parasë.
Prokurori tha se hetimet për Banjskën kanë qenë më komplekset që ka pasur kjo prokurori ndonjëherë dhe në hetim janë përfshirë agjencitë më të mira kombëtare dhe ndërkombëtare për zbatim të ligjit.
Sipas Abazit deri më tani janë realizuar afër 66 intervista me dëshmitarë dhe të pandehur.
“Janë analizuar rreth 120 pajisje elektronike dhe rreth 1 mijë e 266 armë dhe pajisje të tjera dhe kemi siguruar me qindra dokumente që përmbajnë prova kritike për këtë çështje” – tha prokurori.
Tutje ai shtoi se gjatë hetimeve kanë hasur në disa sfida të rëndësishme duke përfshirë bashkëpunimin ndërkufitar dhe vështirësitë në gjurmimin e fondeve dhe shpëlarjes së parave dhe përdorimin e teknologjive të avancuara të përfshira në aktivitet kriminale nga ana e të akuzuarve.
“Kanë pasur role të ndryshe brenda këtij grupi kriminal duke filluar nga organizimi, drejtimi i aktiviteteve terroriste deri tek financimi dhe shpëlarja e parave” – theksoi tutje prokurori.
Në konferencë Abazi njoftoi se ndër të akuzuarit kryesorë është edhe individi me pozitë kyçe si udhëheqës i grupit Millan Radoiçiq, i cili u tha se ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale.