ARKIV - Rashit Qalaj, Policia e Kosovës. Foto: Kallxo.com

Caktohet data e seancës për padinë e Qalajt ndaj Zyrës së Kryeministrit

Gjykata e Apelit ka anuluar vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës në lidhje me masën e sigurisë dhe pezullimin e konkursit të Policisë për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, duke e kthyer rastin në rivendosje.

Pas vendimit të Apelit, është caktuar edhe data e seancës së radhës në të cilën lënda do të rivendoset.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“Lidhur me kërkesën tuaj ju njoftojmë se me datë 31.12.2020 lënda është kthyer në rivendosje, ndërsa në këtë datë janë ekspeduar ftesat së bashku me vendimet e Gjykatës së Apelit te palët ndërgjyqëse dhe është caktuar seanca me datën 08.01.2021 në ora 9:30”, tha Gashi për KALLXO.com.

Gjatë ditës së djeshme KALLXO.com raportoi se Gjykata Apelit ka anuluar vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës në lidhje me masën e sigurisë dhe pezullimin e konkursit të policisë për Drejtor të Përgjithshëm ndërsa lënda do të kthehet në rivendosje në Gjykatën Themelore.

KALLXO.com ka siguruar vendimin e Gjykatës së Apelit e cila ka aprovuar ankesën e MPB-së në lidhje me bllokimin e konkursit të PK-së.

KALLXO.com kishte raportuar se me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, konkursi i Policisë së Kosovës për Drejtor të Përgjithshëm ishte bllokuar. Kjo pas kërkesës së ish-drejtorit të PK-së, Rashit Qalaj, në lidhje me caktimin e masës së sigurisë për të bllokuar konkursin deri në përfundim të kontestit gjyqësor me Zyrën e Kryeministrit në lidhje me shkarkimin e tij muajin e kaluar.

Pas këtij vendimi të Gjykatës Themelore, e cila ka bërë që të pezullohej konkursi për drejtor të ri të Policisë së Kosovës, këta të fundit janë ankuar në Gjykatë të Apelit.

KALLXO.com kishte raportuar në fillim të këtij muaji se pas vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, konkursi i Policisë së Kosovës është pezulluar.

Pasi ishte shkarkuar nga detyra, ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka paditur Zyrën e Kryeministrit, ndërsa ka bërë kërkesë për pezullim të konkursit deri në përfundim të kontestit gjyqësor. KALLXO.com kishte raportuar edhe se Gjykata e Prishtinës ka vendosur që të aprovojë njërën nga dy kërkesat të cilat kishte pranuar nga ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj dhe nga ish-kryeshefja e Inspektoratit Policor të Kosovës, Miradie Kelmendi.

Qalaj dhe Kelmendi kishin kërkuar nga Gjykata e Prishtinës që të ndalohen dy proceset e rekrutimit për drejtor të ri të Policisë së Kosovës dhe kryeshefit të IPK-së.

Ish-kryeshefja e IPK-së, Miradie Kelmendi, ka ushtruar padi ndaj Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërsa Qalaj ndaj Zyrës së Kryeministrit. Kjo për shkak që Kelmendi është shkarkuar nga një vendim i ish- ushtruesit të detyrës së ministrit të MPB-së, Xhelal Sveçla, ndërsa Qalaj me vendim të kryeministrit Avdullah Hoti.

Inspektorati Policor i Kosovës dhe Policia e Kosovës janë duke funksionuar me ushtrues detyre të drejtorit, respektivisht kryeshefit. Në të dy këto institucione të sigurisë janë hapur konkurse për pozitën e drejtorit të përgjithshëm dhe kryeshefit të IPK-së.

Konkursi i Policisë së Kosovës për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës është hapur më 19 nëntor, ndërsa ai i IPK-së për kryeshef më 27 tetor.

Qalaj dhe Kelmendi me anë të padive kanë kërkuar edhe caktimin e masës së sigurisë për të pezulluar konkurset, deri në përfundim të kontestit gjyqësor në lidhje me shkarkimet e tyre të cilat ndodhën muajt e kaluar.

Duke u bazuar në masën e sigurisë të cilën e ka ndërmarrë Gjykata e Prishtinës në rastin e padisë së Qalajt, konkursi i Policisë së Kosovës vazhdon të mbetet i pezulluar deri në vendimin e gjykatës së shkallës së dytë, ndërsa pas refuzimit të kërkesës për caktimin e masës së sigurisë ndaj ish –kryeshefes së IPK-së, Miradie Kelmendit, konkursi i IPK-së do të vazhdojë.