Kisha ortodokse | Foto: KALLXO.com

Caktohet data e seancës, ku e paditur është Kisha Ortodokse

 

Seanca për padinë e Universitetit të Prishtinës ndaj Kishës Ortodokse “Sveti Nikolla”, është caktuar për datën 1 mars 2021.

Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi gjyqtari i rastit, Jovica Mitroviç.

Ka më shumë se tre vite pasi Universiteti i Prishtinës kishte dorëzuar, këtë padi në Gjykatë lidhur me një parcelë toke brenda kampusit të Universitetit “Hasan Prishtina”.

Padia e UP-së që u dorëzua në fund të vitit 2017, ka të bëjë me pronësinë e tokës e cila gjendet në kampusin e këtij Universiteti dhe të cilën e ka momentalisht në pronësi, Kisha Ortodokse “Sveti Nikolla”.

Kujtojmë se në mars të vitit 2017, Universiteti i Prishtinës e kishte humbur gjyqin e parë ndaj Kishës Ortodokse lidhur me pronësinë e tokës.

Gjykata e kishte konsideruar të tërhequr këtë padi si pasojë e mungesës së përfaqësuesve të Universitetit të Prishtinës në gjyq, përkatësisht në seancat që u mbajtën në vitin 2015.

Sipas gjykatës, arsyetimi i UP-së për mospjesëmarrje në seancë në vitin 2015, kishte qenë fakti se ka pasur protesta të shumta para Kishës ortodokse që gjendet brenda tokës së kontestuar.

Kisha e pafunksionalizuar e cila u ndërtua në kohën e regjimit të Slobodan Millosheviqit në vitet 1990-ta, u bë shkas i disa protestave dhe pakënaqësive, kryesisht nga studentët e Universitetit të Prishtinës.

 

Caktohet koha për përballjen e UP-së dhe Kishës Ortodokse në Gjykatë