
Foto: Kallxo.com
Burri i kërkon falje gruas në gjykatë për tentim-vrasjen me thikë shkaku i ilaçeve
Gjykata e Pejës ka vazhduar procesin gjyqësor kundër E.S, i cili akuzohet për tentim-vrasje të bashkëshortes G.S.
Sipas aktakuzës rasti ka ndodhur me 20 korrik të vitit të kaluar në fshatin Vrellë të Istogut.
Dosja e Prokurorisë sqaron se ditën kritike e dëmtuara ka insistuar që bashkëshorti i saj, tani i ulur në bankën e të akuzuarve, t’i pijë ilaçet qe ia kishte përshkruar psikiatri.
Por, sipas Prokurorisë, në ato momente, i akuzuari me thikë të kuzhinës e kishte goditur të dëmtuarën G.S, në regjionin e sipërm të abdomenit.
Në aktakuze thuhet se e dëmtuara pas goditjes me thikë kishte rënë në tokë pa ndjenja, ndërsa i akuzuari bashkë me dëshmitarët GJ.S. dhe XH.F. e kishin dërguar atë në Spitalin Rajonal të Pejës.
Këtij procesi gjyqësor po i vjen fundi pasi sot palët në procedurë dhanë fjalën përfundimtare.
Prokurorja e rastit Sahide Gashi u ndal të propozimi drejtuar gjykatës lidhur me sanksionin penal.
Sipas prokurores, e dëmtuara ishte e subjektive por që “është dashur të këtë pasur parasysh se shumë lehtë mund të mos jetë më në mesin tonë”.
Prokurorja mbeti pranë aktakuzës, duke propozuar qe të akuzuarit t’i shqiptohet edhe masa e trajtimit psikiatrik në ndalim.
Mbrojtësi i të akuzuarit E.S., avokati Muharrem Hoti, gjatë elaborimit të fjalës përfundimtare deklaroi se klienti i tij e ka pranuar fajësinë në mënyrë të vullnetshme.
Hoti i potencoi rrethanat që, sipas tij, gjykata duhet t’i këtë parasysh me rastin e matjes se dënimit, duke u ndalur te pranimi i fajësisë dhe dhënia e ndihmës pas kryerjes se veprës penale.
“Gjykata duhet të këtë parasysh që të njëjtit janë ende në bashkësi martesore”, tha Hoti.
I akuzuari para trupit gjykues i kërkoi falje bashkëshortes edhe njëherë, duke shprehur keqardhje për veprimet e tij.
Shpallja e aktgjykimit behët të mërkurën në ora 13:00.