Foto: Kallxo.com

Burrë e grua tregojnë si e morën kredinë e pakthyer

Gjykimi ndaj analistit kreditor Ilir Imerit vazhdoi sot në Prishtinë me dëgjimin e dëshmitares Zyrafete Tasholli.

Ilir Imeri akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare në shumë prej 13,700 euro.

Sipas aktakuzës, gjatë muajve qershor-tetor të vitit 2018, ai në mënyrë të kundërligjshme kishte nxjerrë jashtë zyrës marrëveshjen e kolateralit hipotekar duke ua mundësuar pesë personave marrjen e kredisë.

E me këtë rast, gjithnjë sipas aktakuzës, Institucionit Mikrofinanciar Rural të Kosovës i ishte shkaktuar dëm në lartësi prej 13,700 euro.

Dëshmitarja Zyrafete Tasholli, marrëse e kredisë në këtë institucion, deklaroi se kur kishte aplikuar për të  marrë kredi në KRK, i kishte dorëzuar të gjitha dokumentet të cilat ia kishte rregulluar burri i saj.

“Por Ilir Imerin nuk e njoh”, tha ajo.

“Kam marrë kredi në vlerë prej 4 mijë euro në bankën KRK, të hollat i kam marrë personalisht prej Ilir Imerit”, vazhdoi tutje dëshmitarja Tasholli.

“Kredinë e kam marrë për një biznes të vogël, por i njëjti më ka dështuar dhe në momentin që më jepet mundësia do ta paguajë kredinë”, tha dëshmitarja Tasholli.

“Për të marrë kredinë, si garancion e kemi ofruar veturën ‘Golf 4’ e cila ishte e shokut të burrit tim emrin e të cilit nuk e di”, shtoi ajo.

Ndërsa kur u pyet nga avokati Destan Rrukiqi, mbrojtës i të akuzuarit Ilir Imeri, se a ka dhënë deklaratë në polici më 12.09.2017, dëshmitarja Tasholli deklaroi se nuk i kujtohet ta ketë dhënë atë deklaratë edhe pse pohoi se nënshkrimi në deklaratë ishte i saj.

Dëshmitarja Zyrafete Tasholli deklaroi se në  bankën KRK ishte vetëm një herë dhe nuk kishte paguar asnjë këst të kredisë.

Poashtu si dëshmitar në seancën e sotme u dëgjua edhe Alban Tasholli, burri i dëshmitares Zyrafete Tasholli.

Alban Tasholli deklaroi se të akuzuarin e njeh “vetëm nga rasti i kredisë”.

“Bashkëshortja ime ka aplikuar në mënyrë të rregullt për kredi. Ajo ka shkuar bashkë me Arbnorin që ishte garantues dhe kishin lënë veturën Golf 4 në kolateral, pronar i së cilës ishte Remzi Uka, shok i imi”, tha ai.

‘’Me sa di, bashkëshortja ime ka qenë në bankë një herë me Arbnorin”, vazhdoi ai.

Alban Tasholli gjithashtu deklaroi se kredia i është aprovuar

“Të hollat i kemi marrë për një biznes familjar, mirëpo biznesi dështoi dhe nuk kemi pas mundësi me kthy kredinë”, tha ai.

Seanca e radhës u caktua për datën 30 dhjetor në të cilën do të dëgjohet dëshmitari Agron Gashi.