Foto-ilustrim

Burgim më kusht për ish-drejtoreshën e Arsimit, ish-drejtori lirohet nga akuza

Gjykata e Mitrovicës e ka dënuar me një vit burgim me kusht ish-drejtoreshën e Arsimit në Komunën e Mitrovicës, Ajmane Barani, e akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Kurse për veprën tjetër – shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës, e pandehura Barani është liruar nga akuza.

Dënimi me burg ndaj të akuzuarës Barani nuk do të ekzekutohet nëse brenda dy viteve ajo nuk kryen vepër tjetër penale.

Në këtë rast i akuzuar është edhe ish-drejtori, Pajazit Hajzeri, për veprën penale – falsifikim i dokumentit zyrtar. Ndaj tij, Gjykata shpalli aktgjykim lirues.

Gjykatësi Halili të dëmtuarin Naim Bunjaku për realizmin e kërkesës pasurore juridike e ka udhëzuar në kontest civil, duke njoftuar palët për të drejtën e tyre në ankesë.

Aktgjykimi është shpallur nga trupi gjykues me gjykatësin Beqir Halili kryetar dhe Gzim Ademi e Sabit Rama anëtarë.

Gjykimi në këtë rasti ka përfunduar me 27 janar të këtij viti kur edhe ishte dhënë fjala përfundimtare nga palët.

Shtyhet gjykimi i ish-drejtorëve të Arsimit për pozitën e arsimtarit të gjuhës frënge

Akuza e Prokurorisë

Ajmane Barani nga Prokuroria e Mitrovicës akuzohet se në cilësinë e drejtoreshës së Arsimit kishte kryer dy vepra penale – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës.

Kurse i akuzuari tjetër, Pajazit Hajzeri, po ashtu ish-drejtor i Arsimit, akuzohet nga Prokuroria se ka kryer veprën penale – falsifikim i dokumentit zyrtar.

Sipas aktakuzës derisa anëtarët e komisionit për vlerësim dhe poentim Njomza Hamza dhe Isa Sejdija në cilësinë e procesmbajtësit, ishin mbledhur që t’i intervistojnë kandidatët për gjuhën frënge, e pandehura Ajmane Barani u kishte thënë që të mos e bënin poentimin sepse këtë do ta bënin më vonë, dhe për këtë anëtarët Hamza dhe Sejdija nuk e kishin nënshkruar procesverbalin.

Në ditën e njëjtë, Prokuroria në akuzë ka shpjeguar se i dëmtuari Naim Bunjaku ishte lajmëruar nga zyrtarja e DKA-së, Shefkije Dragaj se është pranuar si mësimdhënës i gjuhës frënge, pozitë në të cilën ai ka filluar punën si mësimdhënës.

Por Bunjaku me 7 shtator 2015, ishte njoftuar nga drejtoresha e Arsimit, përkatësisht tani e akuzuara Barani se “nuk ka buxhet dhe orët do t’ua ndajë arsimtarëve të tjerë”.

Kurse në datën e njëjtë ishte shpallur lista e punëtorëve të pranuar, ku thuhet se nuk është përfillur afati i ankesës, siç shkruan 15 ditë, por menjëherë kishte filluar punën kandidatja Luljeta Ibrahimi.

Ndërsa në procesverbalin e panënshkruar nga anëtarët e komisionit shihej se pikët më të larta tani i ishin dhënë Luljeta Ibrahimit dhe atë 30 pikë, ndërsa të dëmtuarit Naim Bunjaku 29 pikë.

Për këtë arsye edhe ishte anuluar ky konkurs.

Me këtë, Ajmane Barani akuzohet se ka kryer veprën penale – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ndërsa i pandehuri Pajazit Hajzeri akuzohet se më 14 tetor 2015, në cilësinë e ish-Drejtorit të Arsimit, me nënshkrimin e tij dhe vulën zyrtare ka vërtetuar dokumentin zyrtar dhe atë procesverbalin e Gjimnazit “Frang Bardhi” në Mitrovicë, pikërisht vendimin për lëndën edukatës fizike dhe për lëndën gjuhë frënge, për kandidatët kinse janë poentuar dhe themeluar marrëdhënie pune, pasi që kanë marrë pikët kinse nga anëtaret e komisionit.

Ndërsa siç thuhet në akuzë ky dokument ishte pa datë dhe i panënshkruar nga anëtaret e komisionit.

I akuzuari Hajzeri ka vulosur procesverbalin e lartcekur, të cilin e ka anuluar Inspektorati i Punës.

Me këtë, Pajazit Hajzeri, akuzohet për veprën penale – falsifikimi i dokumentit zyrtar.