Burgim me kusht për gruan nga Podujeva që ishte paguar nga ISIS-i

Gjykata e Prishtinës gjeti fajtore  Qëndresa Sfishtën për veprën penale organizim dhe pjesëmarrje në terrorizëm dhe e dënoi me 2 vjet burgim, i cili dënim nuk do ekzekutohet nëse brenda 2 viteve nuk kryen vepër penale.

Paraprakisht e akuzuara Sfishta kishte pranuar fajësinë mëngjesin e sotëm.

Gruaja kosovare pranon fajin se iu bashkua ISIS-t në Siri

Prokuroria Speciale e akuzonte Qëndresa Sfishtën, nga Podujeva se e njëjta në moshën 25 vjeçare së bashku me burrin e saj Artan Arapin, kishin përkrahur organizatën terroriste ISIS.

Sipas aktakuzës Sfishta me 15 prill të 2015, kishte lëshuar territorin e Republikës së Kosovës, ku me taksi nga Prishtina përmes pikës kufitare ‘’Hani i Elezit’’ bashkë me burrin e saj Artan Arapi kishin shkuar në aeroportin e Shkupit nga ku kishin fluturuar për në Turqi dhe pastaj në Siri.

Qëllimi i këtij udhëtimi ishte bashkimi në organizatën terroriste ISIS, për ta detyruar qeverinë e Sirisë dhe qeveritë e shteteve të tjera që të krijojnë shtetin islamik.

Sipas aktakuzës, Qëndresa Sfishta duke përdorur shumën e rregullt mujore prej 200 $,i kishte ofruar shërbime logjistike burrit të saj, i cili aktivisht kishte marrë pjesë në luftërat e ISIS-it, e vazhdimisht duke ndërruar edhe vendbanimin varësisht nga ndryshimi i territorit të shtetit islamik, duke kaluar nga Siria në Irak dhe anasjelltas derisa ISIS kishte pësuar disfatën e plotë kur kanë qenë të detyruar të dorëzohen te forcat kurde të cilët pastaj me ndihmën e ushtrisë amerikane i kanë deportuar në prill të  vitit 2019 në Kosovë.

Nga data 24 maj 2019, e akuzuara Qëndresa Sfishta deri me 25 qershor 2019 ishte në arrest shtëpiak.