Prapa grilave - Ilustrim

Burgim e gjobë të akuzuarit për 10 kg drogë

Gjykata e Prizrenit e ka gjetur fajtor dhe e ka dënuar Sevki Kayserlin nën akuzat për posedim të narkotikëve.

Me rastin e shpalljes së aktgjykimit Kayserli iu shqiptuan 3 vite e gjashtë muaj burgim ku do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim si dhe 3,000 euro gjobë pasi u gjet fajtor se në një bunker brenda lokalit të tij në Prizren iu gjetën 10 kilogram drogë.

Paraprakisht i akuzuari e ka pranuar fajësinë për veprën me të cilën u ngarkua.

Sipas dosjes së prokurorisë më 21 janar të këtij viti, Sevki Kayserli i cili ishte duke vozitur një veturë “Citroën C3” ishte ndaluar nga Policia e Kosovës, ku tek ulësja e pasagjerit i ishte gjetur substanca narkotike e llojit marihuanë në sasi prej 1152.82 gramëve.

Më tej dosja sqaron se pas kontrollit në lokalin e tij i cili gjendej në Prizren, në një bunker brenda lokalit policia arriti të gjejë edhe 9 qese najloni të mbushura me substancë narkotike të llojit marihuanë me peshë 8.883.38 gram.

Tutje thuhet se pas kontrollit tek shtëpia e të pandehurit në Prizren, policia gjithashtu arrijnë të gjejnë dhe sekuestrojnë dy lule me substancë narkotike të llojit Marihuanë me peshë prej 1.88 gram.

Me këto veprime sipas aktakuzës Sevki Kayserli ka kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

I akuzuari sipas Gjykatës është recidivist i veprave të tilla penale.