Ilustrim

Burgim deri në 10 vjet për zjarrvënie të qëllimshme

Policia, Prokuroria dhe Gjykatat në Kosovë kanë vazhduar punën rreth parandalimit, identifikimit dhe dënimit të personave për zjarrvënie të qëllimshme.

Me ngritjen e temperaturave këto muaj kanoset edhe rreziku i përhapjes së zjarreve në zonat malore dhe pyjore. Pasojat dhe dëmet e shkaktuara nga zjarri janë të mëdha, por të dhënat tregojnë se kryesit e këtyre veprave nuk po mbesin pa u ndëshkuar. 

Të dhënat e pranuara nga Policia për tri vitet e fundit tregojnë se në vendin tonë janë shënuar 834 zjarrvënie, kurse numri i rasteve të kësaj natyre në gjykata ka shkuar duke u zgjidhur vit pas viti.

Në Kodin Penal të Kosovës paralajmërohen të gjithë qytetarët që ndezin zjarre të qëllimshme apo nga pakujdesia, se do të ndëshkohen ashpër. 

Sipas këtij Kodi, dënimet variojnë nga 6 muaj deri në 10 vjet burgim, por kur vepra penale rezulton me vdekje, kryesi dënohet me burgim të përjetshëm.

Të dhënat statistikore të publikuara në këtë analizë kanë për bazë të dhënat e hapura nga data baza e të dhënave e krijuar nga BIRN, që ka për  burim të dhënat e hapura të ofruara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës si dhe Agjencia për Ndihmë Juridike Falas.

Data baza e të dhënave të hapura tregon se numri i lëndëve të zgjidhura të kësaj natyre ka shkuar duke u rritur nga viti në vit.

Sipas të dhënave, gjatë katër viteve të fundit gjykatat kanë pasur punë 29 lëndë të kësaj natyre nga të cilat kanë arritur të zgjidhin 20 lëndë. 

Nga 20 lëndë zgjidhura, gjykatat kanë shqiptuar një dënim me gjobë e dy dënime me kusht.

Gjatë periudhës 2016-2019, gjykatat vendosën për tri raste të kësaj natyre duke shqiptuar dënime tjera. 

Gjatë katër viteve Gjykatat Themelore në Kosovë sipas të dhënave për asnjë rast të vetëm nuk kanë gjykuar me vendim lirues apo refuzues.

Zjarrvënia

Kushdo që ndez zjarrin apo shkakton shpërthimin me qëllim të dëmtimit të pasurisë së personit tjetër, dënohet me burgim prej 6 muaj deri në 3 vjet.

Sipas Kodit Penal të Kosovës kushdo që ndez zjarrin apo shkakton shpërthimin me qëllim të dëmtimit apo asgjësimit të banesës së banuar ose veturës në shfrytëzim nga personi tjetër, dënohet me burgim 1 deri në 5 vjet. 

Në rast se nga zjarrvenja shkaktohet dëm pasuror në shumë prej 20.000 Euro apo më shumë ose nëse vepra penale i shkakton tjetrit lëndim të rëndë trupor, kryesi dënohet me burgim prej 3 deri në 10 vjet. 

Nëse vepra penale rezulton me vdekje, sipas Kodit Penal të Kosovës, kryesi dënohet me më së paku dhjetë 10 vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

Ky raport është mbështetur në të dhënat e grumbulluara nga projekti ‘Databaza për luftimin e narrativeve të dëmshme mbi gjyqësorin”.

Programi është përkrahur nga Fondacioni i Mijëvjeçarit në Kosovë (MFK) dhe Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC).

Të dhënat në raport nuk paraqesin qëndrimet e MFK dhe MCC por janë qëndrime të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese.