Burg për Lirim Sekiraqën dhe dy shtetas të Shqipërisë për drogë e rrëmbim

Gjykata e Prishtinës ka dhënë 11 vjet burg për tre të akuzuar për posedim e shitblerje të drogës.

Dy shtetas të Shqipërisë, Erind Dobra dhe Demir Preni, u dënuan me nga 4 vjet e 6 muaj ndërsa shtetasi i Kosovës, Lirim Sekiraqa, me 2 vjet burg pasi u gjetën fajtor në akuzat për të cilat ngarkoheshin.

Në bazë të aktakuzës gjatë muajit Qershor të vitit 2018 në Prishtinë, i pandehuri Lirim Sekiraqa ka blerë nga i pandehuri Demir Preni një kilogram substancë të dyshuar narkotike – Marihuanë të cilën e ka paguar për shumën prej 400 euro, ndërsa nga i pandehuri Demir ka blerë rreth 6 kilogram Marihuanë dhe nga i pandehuri Erind Dobra ka blerë një kilogram substancë të dyshuar narkotike – Marihuanë, të cilën e ka paguar 520 euro.

Ndërsa, të pandehurit Demir Preni dhe Erlind Dobra akuzohen edhe se kanë sulmuar Lirim Sekiraqën, me forcë e kanë futur në këtë veturë dhe janë larguar në drejtim të panjohur.

Gjatë rrugës e kanë rrahur dhe kërcënuar se do ta djegin me benzinë nëse nuk ia sjell atyre paratë dhe substancën narkotike për të cilën pretendonin se ia ka vjedhur i dëmtuari Lirim Sekiraqa.

Dështon seanca për drogë ndaj Sekiraqës dhe dy të akuzuarve tjerë

Sipas dosjes së Prokurorisë, i dëmtuari Lirim ishte detyruar të thërrasë vëllain e tij që të ja sjell paratë. Pasi vëllai i tij i kishte sjellë paratë, Lirimi ishte liruar.

Që të tre të akuzuarit gjithashtu janë dënuar me gjobë nga 1,000 euro.

Me këtë vendim, Sekiraqës i është ndërprerë paraburgimi, ndërsa Dobra dhe Preni janë dërguar sërish në paraburgim për shkak të rrezikut të ikjes nga vuajtja e dënimit.