Burg me kusht për kosovaren që kishte shkuar në ISIS

Gjykata e Prishtinës e ka shpallur fajtore L.L, e akuzuar për veprën penale organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist.

E akuzuara L.L u dënua me 2 viteve burg me kusht. Dënimi ndaj saj nuk do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, nëse në periudhën verifikuese prej 3 viteve ajo nuk kryen vepër tjetër penale.

“Nëse e akuzuara gjatë kohës së verifikimit të dënimit me burgim me kusht, kryen vepër të re penale, dënimi me burgim me kusht do t’i zëvendësohet me dënim me burgim duke ia llogaritur edhe kohën e qëndrimit në arrest shtëpiak”, tha gjyqtarja Shadije Gërguri.

Gjykata të akuzuarën L.L e urdhëroi që të përmbushë detyrimin për vizitë te psikologu apo këshillues të tjerë dhe të veprojë në pajtim me rekomandimet e tyre në kohëzgjatje prej dy vite e 6 muaj nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Po ashtu, Gjykata urdhëroi Shërbimin Sprovues të Kosovës të bëjë mbikëqyrjen e dënimit me burg të kushtëzuar dhe detyrimit të shqiptuar në këtë dënim me kusht. Nëse e akuzuara nuk i përmbahet kontakteve të Shërbimit Sprovues ose nuk i përmbush detyrimet e caktuara nga psikologu ose këshilluesit tjerë nën mbikëqyrjen e Shërbimit Sprovues , të njëjtës do t’i revokohet dënim me kusht dhe do t’i shqiptohet dënimi me burgim efektiv.

Aktakuza shpjegon se e pandehura L.L më 8.12.2013 me vetëdije të plotë përmes Aeroportit të Prishtinës ka udhëtuar në drejtim të Stambollit, nga ku pastaj ka kaluar në destinacionin e saj në Siri, në zonën e konfliktit, me qëllim për t’iu bashkangjitur grupeve terroriste ISIS dhe Al-Nusra të cilat veprojnë në Siri dhe Irak, ku ka qëndruar deri në momentin e kthimit në Kosovë më datë 20.4.2019.

Më këtë Prokuroria po e ngarkon se ka kryer veprën penale – organizimi dhe pjesëmarrja në grupin terrorist.