Burg efektiv për afro 4 kg drogë

Gjykata e Prishtinës e ka gjetur fajtor Visar Mullën për trafikim të heroinës dhe e ka dënuar me burgim efektiv prej 3 vitesh dhe me gjobë në shumën prej 5 mijë eurosh.

Po ashtu, të njëjtit i është konfiskuar heroina e gjetur.

Paraprakisht Mulla në seancën e 31 janarit pas ballafaqimit me akuzën kishte pranuar fajësinë.

Gjykata si rrethana lehtësuese kishte marrë pranimin e fajësisë, faktin se i akuzuari për herë të parë kishte shkelur ligjin dhe ishte mbajtës i familjes.

Po ashtu, të njëjtit i është ndërprerë edhe masa e paraburgimit.

Pasi që i akuzuari ka pranuar fajësinë, ai u njoftua me të drejtën për të paraqitur ankesë vetëm për shkak të dënimit.

Aktakuza thotë se më 12 korrik 2019, rreth orës 2:30, Policia pas pranimit të informatave kishte vëzhguar tani të akuzuarin Mulla, i cili kishte qenë duke shkuar në banesë në Prishtinë.

Por, me të kuptuar se është në vëzhgim nga Policia, i akuzuari Mulla ka tentuar të ikë nga objekti i banesës dhe ka hedhur çelësat e banesës 70 metra larg nga banesa.

Me t’u arrestuar, Policia ka kryer kontrollin në banesë ku kishte gjetur dy qese najloni të mbështjella me nga 4  foli me substancë narkotike të llojit heroinë.

Ndërsa në dhomën e gjumit i është gjetur një makinë me ngjyrë të kuqe me mbishkrim “Hydraulic shop press”,  si dhe disa pllaka metali dhe bulona që shërbenin për presimin dhe paketimin e narkotikëve.

Pas ekzaminimit nga Agjencia Kosovare e Forenzikës ka rezultuar se narkotiku i gjetur është i llojit heroinë i përzier me paracetamol dhe kafeinë në peshë totale prej 3 kilogramë e 953.69 gramë.