Foto: Kallxo.com

Burg e gjobë për të akuzuarin për kontrabandë me migrantë

Gjykata në Prishtinë e ka dënuar me burg dhe gjobë Muzafer Sejdiun, i akuzuar për kontrabandë me emigrantë.

Dënimi ndaj Sejdiut erdhi pasi ai e kishte pranuar fajësinë në akuzat e prokurorisë.

Ai u dënua me 2 vjet burg dhe 2 mijë euro gjobë ndërsa në dënim do t’i llogaritet dhe koha e kaluar në paraburgim.

“Me rastin e marrjes së vendimit mbi dënimin gjykata pati parasysh të gjitha rrethanat e përcaktuara në dispozita ligjore të cilat vlejnë për matjen e dënimit. Si rrethanë posaçërisht lehtësuese ka vlerësuar pranimin e fajësisë, ndërsa në anën tjetër rrethana veçanërisht rënduese nuk ka gjetë, përveç ato që janë përcaktuar si elemente të veprës penale në dispozitë”, tha gjyqtari Arben Hoti.

Prokurorja e shtetit Habibe Salihi, në seancën e shqyrtimit fillestar para tri ditëve e precizoi aktakuzën ndaj Sejdiut duke hequr dorë nga ndjekja penale për veprën penale krim i organizuar dhe duke qëndruar pranë ndjekjes penale kontrabandim me emigrantë pasi që, sipas saj, për të ekzistuar krimi i organizuar duhet të plotësohen disa kushte sipas Konventës se Kombeve te Bashkuara.

“Për të ekzistuar krimi i organizuar duhet të ekzistojnë tre e me shume persona duhet të ekzistojë grupi i strukturuar dhe meqenëse në rastin konkret në këtë fazë të procedurës kemi të bëjmë vetëm më një të akuzuar, i cili ka vepruar në bashkëveprim me Jahi Jahiu, i cili për këtë vepër penale është dënuar. Për këtë arsyeje e kam bërë edhe precizimin e përshkruar më lartë, dhe heq dorë nga krimi i organizuar dhe qëndroj pranë ndjekjes penale të kontrabandimit me migrantë”, tha Salihi.

Në seancën e shqyrtimit fillestar, pas ricilësimit të veprës penale i akuzuari Muzafer Sejdiu e kishte pranuar fajësinë.

Prokurorja Habibe Salihi në aktakuzën e precizuar shpjegon se “i akuzuari Muzafer Sejdiu duke bashkëvepruar me të akuzuarin Jahi Jahiu dhe me NN personat është marrë më kontrabandimin e migrantëve me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejt të dobisë financiare nga shtetas të Republikës së Kosovës”.

Më tutje në precizim të aktakuzës, prokurorja Salihi shton se “nga hyrja e tyre e paligjshme në shtet në të cilat ata nuk janë banorë të përhershëm, në ditët e papërcaktuara gjatë periudhës kohore 2013/2014 sipas marrëveshjes paraprake me të pandehurin Jahi Jahiu, fillimisht ka rregulluar dokumentet e falsifikuara të cilat janë përdoruar nga migrantët. Pastaj poashtu në bashkëveprim me të pandehurin Jahi Jahiu kanë kontraktuar shtetasit e interesuar të  Republikës së Kosovës, për të migruar në vende të ndryshme të BE-së për qëllime komerciale.

Në aktakuzë thuhet se nga i dëmtuari Muhamet Hyseni kishin për qëllim të përfiton shumen prej 2,500 euro, për emigrimin e të dëmtuarit Lulzim Hyseni shumën prej 3,000 euro, për të dëmtuarin Visar Avdiu shumën prej 2,700 euro, për të dëmtuarin Leotrim Hyseni shumën prej 3,000 euro dhe për të dëmtuarin Reshat Avdiu shumën prej 2,700 euro.

Dosja e Prokurorisë për rrejtin që kontrabandonte kosovarët për në vendet e BE-së